Tuesday, November 26, 2024

Kombëtarja U-19, trajneri Cungu analizon miqësoret me Kosovën

Lexo

Kombëtarja shqiptare U-19 zhvilloi dy miqësore me Kosovën U-19 gjatë muajit mars, me stafin teknik të ekipit që pati mundësi të provonte elementë dhe module të ndryshme loje në kuadër të konsolidimit të skuadrës që do të marrë pjesë ne eliminatoret e Kampionatit Europian U-19, që luhen në muajin shtator.

Në fund të këtyre miqësoreve dhe grumbullimit thuajse 10-ditor, trajneri i kuqezinjve, Armando Cungu ka analizuar punën e bërë gjatë këtyre ditëve dhe nivelin e treguar nga lojtarët e grumbulluar. Duke folur për fshf.org tekniku shkodran shprehet se dy ndeshjet kanë qenë mjaft të vlefshme për stafin teknik, teksa shtoi se elementët e ardhur nga klubet e huaja nuk bënë diferencën në këto teste.

“Këto dy miqësore me Kosovën U-19 mua si trajner më kanë vlejtur shumë për të parë nivelin e lojtarëve të grumbulluara dhe të skuadrës. Ndërsa sa i përket formimit dhe konsolidimit të grupit kryesor të lojtarëve që do të përbëjnë bazën e Kombëtares U-19 nuk mendoj se jemi ende aty ku duhet. Sigurisht, miqësoret u luajtën në data zyrtare dhe ne kishim mundësi të ftonim lojtarë të cilët aktivizohen me klube të huaja dhe ne e shfrytëzuam duke thirrur sa më shumë nga ata të cilët i kemi monitoruar në vazhdimësi dhe i kemi në mbikëqyrje. Kishte disa elementë për të cilët ne kishim menduar se mund të bënin diferencën me futbollistët e kampionatit shqiptar, por në fakt nuk pashë ndonjë diferencë, ndryshe nga ç’prisja”, – thotë Cungu, duke theksuar se baza e skuadrës do të jetë produkti që vjen nga kampionat shqiptar, por duke vëzhguar në vazhdimësi edhe elementët që vijnë nga jashtë e që mund të jetë të vlefshme në perspektivë.

“Shpresoj që në dy miqësoret e ardhshme që kemi me Malin e Zi në qershor do të shohim nëse mund të afrojmë edhe ndonjë element tjetër, por konkluzioni im për momentin është që të mbështetemi më shumë tek elementët e kampionatit shqiptar. Prisja më shumë të them të drejtën nga këta lojtarë, që në letër ishin premtues, pasi luanin me skuadra të njohura jashtë. Lojtarët që vinë nga jashtë duhet të dëshmojnë në fushë se kanë një nivel tjetër më të lartë me kampionatin shqiptar dhe nëse nuk e dëshmojnë këtë, patjetër që ne do të bazohemi te lojtarë vendas. Të mos harrojmë edhe vitin kaluar baza e ekipit Kombëtar U-19 ka qenë nga kampionati shqiptar dhe kanë bërë një paraqitje të mirë.

Uroj të kemi mundësi të shohim edhe futbollistë të tjerë të rinj në mënyrë që kur t’i afrohemi ndeshjeve të eliminatoreve të Europianit në shtator të kemi një grup lojtarësh edhe më të fortë. Kemi pasur mundësi të testojmë një numër të madh lojtarësh, ne kërkojmë një nivel më të lartë konkurrence në skuadër. Do të kemi edhe seleksionime apo grumbullime të tjera në muajt prill dhe maj dhe shpresoj shumë që të konsolidojmë sa më mirë skuadrën dhe të përgatitemi sa më mirë për ndeshjet zyrtare që na presin pas verës”, – theksoi ndër të tjera trajneri i ekipit Kombëtar U-19, Armando Cungu në prononcimin e tij.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img