Kombëtarja U-21 ka nisur që prej ditës së diel grumbullimin në kuadër të dy sfidave zyrtare për eliminatoret e Kampionatit Europian 2023 ndaj Anglisë dhe Republikës Çeke. Nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi skuadra po punon dhe po stërvitet intensivisht për t’u paraqitur në mënyrën më të mirë në këto dy sfida. FSHF.org ka ndjekur nga afër këto seanca stërvitore, teksa ditën e sotme për mikrofonin e fshf.org janë prononcuar dy prej futbollistëve të talentuar të Shqipërisë, Eljon Toci dhe Roy Syla, të cilët kanë folur në lidhje me objektivat për këto dy ndeshje, prezencën e tyre te Kombëtarja si dhe synimet personale.
Toci, i cili aktivizohet te skuadra e Fiorentinës U-19 dhe ku po bën mjaft mirë këtë sezon, duke realizuar edhe gola nuk e fsheh lumturinë kur pyetet si e priti ftesën nga Kombëtarja, teksa premton se do të japë maksimumin.
I lumtur për ftesën nga Kombëtarja? – Jam shumë i lumtur. Cilësia është shumë e madhe tek ekipi U-21, edhe pse janë mosha më të mëdha, por kjo nuk do të më ndalë. Do të mundohem të jap maksimumin për skuadrën dhe për Kombëtaren.
Si të ka pritur skuadra? – Më kanë pritur të gjithë shumë mirë, kjo është hera e tretë që unë vij në këtë ekip dhe djemtë janë shumë mikpritës.
Atmosfera në skuadër – Jemi shumë të qetë, sepse e dimë se çfarë ndeshjesh duhet të bëjmë. Janë skuadra shumë të forta, por ne do bëjmë lojën tonë dhe do të ecim përpara.
Anglia? – Është skuadër shumë e fortë sipas meje dhe duhet të bëjmë shumë mirë.
Synimet në aspektin personal – Objektivi im personal është të luaj me Kombëtaren A sa më shpejt.
Një tjetër lojtar i perspektivës është edhe Roy Syla, mesfushori kuqezi i cili është pjesë e Brentford U-23 në futbollin anglez. Syla shprehet i lumtur që ka marrë ftesën për të përfaqësuar Shqipërinë në këto dy ndeshje, teksa shprehet se skuadra ka mundësi të marrë pikë ndaj këtyre kundërshtarëve, pasi ka nivel të lartë. Ekipi i parë i Brentford dhe Kombëtarja A janë objektivat e Royt në të ardhmen.
Si ndihesh që je pjesë e Kombëtares? – Jam gëzuar shumë që jam pjesë e ekipit U-21, pasi lojtarët janë të nivelit të lartë.
Si të ka pritur skuadra? – Janë të gjithë djem të mirë, punojnë fort dhe luajnë me kualitet të lartë, e kam parë në këto dy ditë stërvitje që janë të gjithë të mirë.
Objektivat e ekipit në këto dy ndeshje – Kemi mundësi të marrim pikë në këto dy ndeshje, nga taktikat që po përdorim në stërvitje dhe mundësitë që kemi me topin, që lojtarët të luajnë mirë, kemi mundësi të marrim pikë.
Synimet në aspektin personal – Objektivi im është të luaj me ekipin e parë të Brentford dhe me Kombëtaren A sa më shpejt.