Menjëherë pas ndeshjes, Vllaznia-Skënderbeu, takim i zhvilluar pasditen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi” që u fitua nga kuqeblutë me rezultatin 2 me 1, dy trajnerët kundërshtarë, Brdariç i Vllaznisë dhe Memelli i Skënderbeut dhanë prononcimet e tyre në konferencën e shtypit me gazetarët shkodranë.
Tomas Brdariç(Trajner i Vllaznisë):
“Luajtëm ndaj një skuadre që janë në garë për mbijetesën dhe do vijnë të luajnë fort. Kam disa kritika për ekipin sepse u futëm shumë pas në mbrojtje. Mund të jemi me fat që fituam dhe fituesi nuk kritikohet”, tha në fillim Brdariç. Më pas, i pyetur për ndonjë paragjykim rreth kundërshtarit, Brdariç, tha: “Jo, disa herë mund të bëjmë edhe shaka. Gazetarët pyesin dhe unë përgjigjem. Doja të shihja nëse ishim të aftë të fitonim sot apo në finale.” Ndërsa, në lidhje me gabimin e bërë nga mbrojtësi Adili që solli edhe golin në portën kuqeblu, tha se “ne jemi një skuadër që kemi lojtarët e duhur për çdo sfidë dhe mësojmë nga gabimet. I lëmë lojtarët të shprehen në fushë. Adili u tregua i pamatur dhe besoj se e ka kuptuar.” Shehi i ardhur nga stoli po luan mirë, madje edhe po shënon, gjë që mori vlerësimet edhe nga trajneri. “Më pëlqen vetbesimi që Shehi ka dhe nuk mund t’i përgjigjem çdo pyetje sepse janë të vështira. Shehi na ka ndihmuar shumë dhe mendojmë për ndeshjen e radhës”, përfundoi trajneri i Vllaznisë, Brdariç.
Migen Memelli(Trajner i Skënderbeut)
“Ishim më të kujdesshëm në pjesën e parë, pësuam shumë shpejt gol. Pas pësimit të golit të dytë skuadra reagoi, kundërshtari ka dhe merita. Sot jam shumë i zhgënjyer nga mënyra sesi humbëm, nuk na ka dominuar Vllaznia, këto janë detaje që na ulin ritmin e rezultatit. Dy gabime ishin individuale që na kushtuan rëndë. Është një rival për mbijetesën për Bylisin dhe do të bëjmë gjithçka për ta fituar. Do të mundohemi të ruajmë qetësinë në skuadër, ne kemi jashtëzakonisht cilësi në skuadër. Ekipi është koshient që mund të përballet me cilido, të mërkurën ndaj Bylisit do të luajmë për ta fituar. Jam shumë i zhgënjyer ata janë njerëz dhe mund të gabojnë, por marr përgjigjësitë e mia. Problemi kryesor ishte koha e presionit, ne jemi skuadër e konsoliduar dhe qendra e majtë dhe qendra e djathtë ishin me një kohë vonesë. Kundërshtari e ka më të lehtë për të bërë veprimin, e riktheksoj nuk pamë ndonjë dominim të Vllaznisë edhe pse e komplimentoj Vllazninë.”, u shpreh për gazetarat, trajneri i Skënderbeut, Migen Memelli.