Kombëtarja e Kosovës edhe një herë ka dalur e pamposhtur në përballje me Zvicrën. Në ndeshjen e xhiros së parafundit në kuadër të Grupit I për kualifikimet për Euro 2024, Dardanët kanë barazuar me zviceranët në “St. Jakob-Park”, me shifrat 1:1.
Edhe pse me mungesa të shumta të lojtarëve që bartin barrën kryesore në ekip, Kosova në Bazel shfaqi karakter të lartë, teksa djelmoshat e rinj treguan potencialin e tyre duke dhënë shpresa të mëdha për të ardhmen.
Ky barazim i ka venitur përfundimisht shpresat për kualifikim në Evropian, teksa Zvicrës ia ka mundësuar biletën për në “Gjermani 2024” falë edhe humbjes së Izraelit ndaj Rumanisë. Kosova pati përkrahje të madhe nga bashkëatdhetarët tanë në Zvicër, të cilët edhe një herë i dhanë shtytje Dardanëve për rezultat pozitiv, teksa djelmoshat tanë i nderuan ata me angazhimin dhe përkushtimin e shkëlqyeshëm në fushën e lojës.
Pjesa e parë kaloi në shenjë të mbizotërimit të vendasve, të cilët tentuan disa herë portën e Visar Bekajt, por nuk e gjetën rrugën e golit. Ndërkaq, edhe Dardanët u shfaqën disa herë të rrezikshëm në kundërzbritje. Me të filluar pjesa e dytë zviceranët kaluan në epërsi, me golin e Ruben Vargas (47’), pas një reagimi jo të duhur të mbrojtjes.
Megjithatë, Dardanët nuk u dorëzuan dhe vazhduan të ngulojmë drejt portës së vendasve. Dhe goli i barazimit erdhi në minutën e 82-të, kur debutuesi Muhamet Hyseni shënoi gol të bukur për 1:1. Ky në fund doli të ishte rezultati përfundimar. Ndeshjen e ardhshme Kosova e zhvillon të martën kundër Bjellorusisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.