Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave e ka nisur sot grumbullimin treditor të shtatorit, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet e rëndësishme të ‘play-off’-it kundër Turqisë, që do të zhvillohen në fund të tetorit për plasman në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Përzgjedhësi i Dardaneve, Sami Sermaxhaj, ka grumbulluar kryesisht futbolliste nga kampionati vendor, si dhe tri lojtare që luajnë jashtë vendit, pasi pjesa tjetër e lojtareve e ka pasur të pamundur grumbullimin në këtë kamp, pasi ky nuk është një termin zyrtar i FIFA-s. Në ditën e fundit të këtij grumbullimi (të enjten) do të zhvillohet edhe një ndeshje testuese me Kombëtaren U19, e cila do t’i shërbejë stafit teknik për të parë gjendjen e futbollisteve.
Lidhur me këtë grumbullim, përzgjedhësi Sermaxhaj u shpreh: “Ideja e këtij grumbullimi është të shohim se cilat janë ato elemente që mund të na shërbejnë në ndeshjen kundër Turqisë në ‘play-off’-in në Ligën e Kombeve, por edhe për perspektivë për të parë se cilat nga këto lojtare në të ardhmen jo të largët mund t’i bashkangjiten dhe të jenë pjesë e rregullt e Kombëtares A. Kosova tashmë ka disa lojtare të dëshmuara të cilat po performojnë shumë mirë. Janë gjashtë lojtare që kanë shkuar në Turqi, pastaj kemi edhe lojtare nga shtetet e perëndimit, por natyrisht se nuk i anashkalojmë as lojtaret e kampionatit vendor. Do të shohim se cilat janë ato lojtare që mund të ndihmojnë Kombëtaren A. Ky grumbullim është me rëndësi edhe për të parë se cilat nga lojtaret e Kombëtares U19 mund t’i bashkohen këtij grupi, pasi të enjten do ta luajmë një ndeshje testuese”.
Edhe futbollistet shfaqën optimizëm dhe atmosferë pozitive në këtë kamp. “Sot jemi mbledhur për një kamp treditor ku do të zhvillojmë një miqësore me Kombëtaren U19. Kemi disa prurje të reja, që shpresoj se do t’i shërbejnë trajnerit mjaft mirë për ndeshjen e ‘play-off’-it kundër Turqisë në tetor. Atmosfera është shumë e mirë dhe besoj se do të kombinohemi mes vete. Ky kamp do të na shërbejë mjaft mirë për ndeshjet e tetorit. Jemi në kampionat e sipër si ne ashtu edhe lojtaret jashtë vendit dhe shpresoj që secila do të ketë formën më të mirë në ato ndeshje. Sigurisht se do të japim më të mirën për Kosovën dhe në fund do të arrijmë të kualifikohemi në Ligën B”, tha Albulena Fejza.
Ndërsa Aurona Racaj shtoi: “Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe po kalojmë shumë mirë. Besoj se do të shkoj gjithçka mirë. Në tetor kemi dy ndeshje goxha të vështira, por secila do të mundohemi të japim maksimumin për ta kaluar edhe këtë sfidë”.



