Tuesday, May 14, 2024

“Krenar që kam arritur 4 kualifikime”, Agustin Kola: Më donin në Belfast, por do të internohej gjithë fisi…

Lexo

Me një gol të tij dhe një asist për Mingën, është një ndër protagonistët absolutë në atë kualifikim epik. “Me Benin, jemi dy futbollistë të kualifikuar katër herë me 17 Nëntorin në Kupat e Europës në atë periudhë”, thotë për “Panorama Sport” ish-sulmuesi dhe goleadori i famshëm bardheblu.

Z.Kola, ju kujtohet goli i “Qemal Stafës”?

Ndërsa loja po shkonte drejt një barazimi pa gola, janë 15 minutat e fundit kur në një aksion nga porta jugore, në zonë krijohet një situatë konfuze. Gjuan Omuri, rikthen mbrojtja, godet Minga, sërish mbrojtja reagon. Topi përfundon tek unë, që me të majtën gjuaj, dhe 1-0.

Shkoni në Belfast, çfarë atmosfere gjeni aty?

Na favorizonte goli, pra rezultati i Tiranës. Takimi, kujtoj se nuk u zhvillua herët në mbrëmje. Ishte stadium i vogël, por i mbushur me spektatorë që kishin shumë shpresë për përmbysje dhe kualifikim. 17 Nëntori, futbolli shqiptar pak ose aspak njihej atje.

Goli i Mingës, ju jeni edhe një “asistman”…

Ishte mesi i pjesës së parë. Nga krahu i djathtë i sulmit, u jam shmangur me shpejtësi dy mbrojtësve dhe në hyrje të zonës, kam parë të zbuluar Mingën, afër vijës së pesë metrave. Ia pasova topin dhe ai e dërgoi në rrjetë pa i dhënë asnjë mundësi portierit ta presë. Një gol që i shtangu të gjithë. Pas 1-0 në Tiranë shpresat tashmë ishin të mëdha për ne. Ndodheshim një hap pranë kualifikimit.

Arben Vila thotë se ju propozuan të qëndronit te Linfilldi?

“Ai me numrin 11”… Kështu më thërrisnin, as emër, asgjë tjetër. Po, e vërtetë, pas takimit më propozuan të qëndroj në Belfast, ku ata të Linfilldit më garantonin gjithçka. Beni komunikonte anglisht. Më kishin parë në Tiranë dhe pastaj në Belfast. U kisha pëlqyer. “Mos u kthe në Shqipëri, qëndro këtu!”, këmbëngulnin. Sa do të më pëlqente, por ishte e pamundur. “Në Tiranë kam gjithë fisin, do ta persekutojnë nëse nuk kthehem”, i sqaroja, por ata nuk e kuptonin.

Çfarë ndodhi në Vjenë kur ishit në pritje të shortit?

Si bombë na ka rënë. Ishim në hollin e hotelit, kur pamë që pas emrit 17 Nëntori u shfaq ai i Dinamos së Kievit. Çfarë dëshpërimi që i përfshiu të gjithë. Të shtunën u kthyem në Tiranë, vijuam kampionatin. Kualifikimi u harrua. Ishit lojtar i një 17 Nëntori, klubit shqiptar më i suksesshëm edhe në Europë… Në katër kualifikime të jashtëzakonshme, dy prej tyre janë marrë në transferta të vështira, si në Belfast dhe ajo për Kupën e Kupave në Bukuresht me Dinamon.

Dy të tjera në Tiranë, me Hamrun Spartans, Kupa e Kampioneve, sezoni 1988 – 1989. Humbën 2-1 në Maltë, fituam 2-0 në Tiranë. Dhe e fundit, Kupa e Kampionëve 1989 – 1990 me Sliema W. Po skuadër nga Malta. 1-0 humbëm në udhëtim, fituam 5-0 në kthim dhe unë shënova 2 gola. U kualifikuam duke luajtur me Bajernin e Mynihut në turin e dytë.

Rezultate, kualifikime të rëndësishme për karrierën time, për ata futbollistë, trajnerë, historinë e klubit, por ai në Belfast mbetet i veçantë. Ishte i pari dhe si çdo gjë e parë nuk harrohet. Flas për kohën time, se më pas SK Tirana ka edhe të tjera kualifikime europiane.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img