“Shkodra, Qytet Evropian i Sportit 2025” fillon të programojë aktivitetet e vitit, ku njëri prej tyre është organizimi i Turneut Ndërkombëtar Beach Volley Velipoja 2025, I planifikuar për t’u zhvilluar gjatë sezonit veror në plazhin e Velipojës. Një gjë e tillë është diskutuar pasditen e sotme në takimin që u zhvilluar në Bashkinë Shkodër, ku kryebashkiaku Benet Beci priti Zv. Presidentin e Federatës Italiane të Volejbollit, Adriano Bilato, së bashku me Presidentin e Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi.
“Sot pata kënaqësinë të prisja Zv. Presidentin e Federatës Italiane të Volejbollit, Adriano Bilato, së bashku me Presidentin e Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi. Në takim qe i pranishëm edhe koordinatori i Beach Volley në Itali, Fabio Galli. Diskutuam për veprimtaritë që do të nisin së shpejti në kuadër të “Shkodra, Qytet Evropian i Sportit 2025”. Për volejbollin gjatë këtij viti do të ketë një sërë aktivitetesh ndërkombëtare, një prej të cilave do të zhvillohet në plazhin e Velipojës, ku do të organizohet Beach Volley gjatë sezonit veror.”, shkruan kreu i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, në postimin e tij, përcjellë në rrjetet sociale.