Për disa nga skuadrat e Abisnet Superiore nuk ka shumë kohë për të pushuar, pasi do të duhet të zbresin menjëherë në fushën e lojës për të bërë mes tyre llogaritë për në Kupën e Shqipërisë. Më saktësisht do të luhen çerekfinalet e kthimit.
8 ekipe do të luftojnë mes tyre për biletat e gjysmëfinales. Këto sfida do të luhen ditën e martë dhe të mërkurën. Nesër do të sfidohen mes tyre Egnatia-Laçi në orën 13:30 në “Egnatia Arena”. Dueli i parë mes tyre ka përfunduar në favor të rrogozhinasve me shifrat 1-0.
Në orën 17:00 do të jetë radha e Partizanit dhe Kukësit, me demat që kanë fituar çerekfinalen e parë me shifrat 1-0. Dueli i dytë mes tyre do të luhet në “Arenën e Demave”.
Ndërkohë ditën e mërkurë do të zhvillohen dy sfidat e tjera. Tirana-Teuta do të sfidohen në “Elbasan Arena” në orën 13:30. Ndeshja e parë mes tyre e zhvilluar në “Niko Dovana” ka përfunduar 0-0 dhe mes tyre është një luftë e hapur për kualifikimin.
Sfida e fundit do të jetë mes Vllaznisë dhe Erzenit në orën 17:00. Shkodranët do të kërkojnë përmbysjen në “Loro Boriçi”,pasi takimi i parë mes tyre ka përfunduar 2-1 në favor të shijakasve.
Fatos LAMAJ