E marta dhe e mërkura sollën katër përballjet e para çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Rezultatet e para të këtyre ndeshjeve lënë gjithçka të hapur për përballjet e kthimit, ku do të vendosen edhe biletat për në gjysmëfinale.
Në Ballsh, Vllaznia siguroi një fitore minimale 1-0, një rezultat me peshë përpara sfidës së kthimit. Goli i Kastratit në minutën e 28-të i dha avantazhin shkodranëve, të cilët administruan mirë lojën deri në vërshëllimën përfundimtare.
Në Durrës, Egnatia realizoi një përmbysje me karakter ndaj Teutës, duke triumfuar 2-1. Arifi kaloi vendasit në avantazh në minutën e 11-të, por reagimi i rrogozhinasve ishte i menjëhershëm në që në minutat shtesë të pjesës së parë. Adjessa barazoi shifrat në minutën e 46-të, ndërsa Kryeziu vulosi përmbysjen në minutat shtesë të pjesës së dytë, duke i dhënë Egnatias një avantazh të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit.
Në “Selman Stërmasi”, Dinamo City hodhi një hap të sigurt drejt gjysmëfinales, duke mposhtur Tiranën me rezultatin e pastër 0-2. Blutë kaluan ne epërsi falë golit të realizuar nga Vila në minutën e 76-të, ndërsa në të 93-tën, Bregu vulosi shifrat në 0-2.
Në “Elbasan Arena”, Partizani iu gëzua golit të Skukës në minutat shtesë të fundit të lojës, duke marrë një fitore të rëndësishme në transfertë.
Rezultatet e ndeshjeve të para të fazës çerekfinale:
Bylis 0-1 Vllaznia
KF Teuta 1-2 Egnatia
Tirana 0–2 Dinamo City
AF Elbasani 0-1 Partizani
Ndeshjet e kthimit do të luhen më 4 mars dhe pritet të jenë vendimtare, me skuadrat që do të luftojnë për një vend mes katër më të mirave të Kupës së Shqipërisë.



