Klubet shqiptare që kanë kaluar me sukses raundin e parë të UEFA Conference League, Laçi, Vllaznia dhe Partizani janë njohur ditën e sotme me kundërshtarët e turit të tretë, në rast të një kualifikimi të mundshëm.
Shorti i hedhur në Nion të Zvicrës ka vendosur përballje interesante, me ekipin e Laçit që do të përballet me Anderlehtin nëse kalon me sukses rumunët e Universitatea Craiova. Skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro siguroi kalimin në raundin e dytë pasi mundi malazezët e Podgoricës.
Ndërkohë, ekipi i Partizanit do të gjejë në ndeshjen e radhës fituesin që do të përcaktohet nga sfida Ujpest – Vaduz, në rast se mundin zvicerianët e Baselit. Në raundin e parë, të kuqtë fituan të dyja ndeshjet që luajtën kundër Sfintulit.
Për shkodranët e drejtuar nga Thomas Brdaric, shorti ka përcaktuar të luajnë përballë fituesit që do të dalë nga ndeshja Qarabağ – Ashdod Fillimisht Vllaznisë i duhet të kalojë qipriotët e Limassol-it.
Edhe ekipi i Teutës është njohur me kundërshtarin e mundshëm, pas eliminimit në raundin e parë të UEFA Champions League nga Sherif Tiraspoli. Kështu, nëse ekipi durrsak do të kalojë skuadrën e Inter Club D’Escaldes, do të luajë kundër ekipit irlandez të Shamrok.
Skuadrat shqiptare kanë nisur përgatitjet prej ditësh, teksa ndeshjet e para të raundit të dytë do të luhen më 22 korrik, ndërsa ndeshjet e kthimit do të luhen me 27 korrik (Teuta) dhe 29 korrik.
Ndeshjet e para të turit të tretë do të luhen më 5 gusht ndërsa ndeshjet e kthimit më 12 gusht.
Përballjet e mundshme në rast kualifikimi në raundin e tretë:
Újpest (HUN) / Vaduz (LIE) vs Basel (SUI) / Partizani (ALB)
Limassol (CYP) / Vllaznia (ALB) vs Qarabağ (AZE) / Ashdod (ISR)
Universitatea Craiova (ROU) / Laçi (ALB) vs Anderlecht (BEL)
Shamrok Rovers vs Inter Club d’Escaldes (AND) / Teuta (ALB)