Si zakonisht, një ditë përpara ndeshjes zyrtare të kampionatit, Vllaznia është e grumbulluar në mjediset komode të Gardenland Resort-Barbullush. Por, grumbullimi i kësaj radhe për pragndeshjen e javës së 16-të të Superiores, Vllaznia-Kastrioti ka qënë disi ndryshe. Ditëlindja e trajnerit Tomas Brdariç ka nxitur drejtuesit e klubit të organizojnë një festë më vete. Pikërisht aty në mjediset e Gardenlandit, me pjesëtarët e skuadrës kuqeblu janë bashkuar edhe miq të tjerë, mes të cilëve edhe kryebashkiakja Voltana Ademi, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe përfaqësues nga tifozëria kuqeblu. Një darkë e përmasave të mëdha e shoqëruar edhe me muzikë dhe batuta të shumta gazmore, pjesë e së cilës kanë munguar edhe dhuratat e shumta simbolike që e kanë entuziasmuar jashtë mase trajnerin Brdariç. Njëra prej tyre që është pritur me ovacione të mëdha dhe thirrjet, Vllaznia-Vllaznia, ka qënë edhe torta kuqeblu që kapiteni Erdenis Gurishta ia ka dorëzuar timonierit të Vllaznisë, Tomas Brdariç.
E gjithë kjo armosferë festive ka vijuar për orë të tëra, ndërkohë që mbrëmja e së dieles pritet të shoqërohet me një tjetër atmosferë po aq entuziaste, të cilën e ka në dorë ta dhurojë sërishmi ekipi kuqeblu i Vllaznisë me fitoren e radhës ndaj Kastriotit, takim që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” duke filluar nga ora 16.45.