Monday, November 25, 2024

Kuqeblutë në testin e fundit përgatitor. Skënderbeu-Vllaznia, miqësore, të dielen ora 19:00 në stadiumin “Skënderbeu” Korçë

Lexo

Kuqeblutë e Vllaznisë janë duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve që po zhvillojnë në Pogradec, atje ku gjenden që prej së dieles së kaluar në një minifazë stërvitore që është e fundit në prag të fillimit të sezonit të ri futbollistik.

Pas miqësores së parë të zhvilluar në mesjavë me Dinamon, e cila përfundoi me rezultatin e barabartë 1 me 1, të dielen është programuar një tjetër miqësore. Përballë kuqebluve do të jetë përsëri një emër i njohur dhe me traditë në futbollin shqiptar, Skënderbeu i Korçës, skuadër me të cilin trajneri i sotëm i Vllaznisë, Mirel Josa dominoi për disa vite kampionatin shqiptar duke bërë jehonë edhe në Kupat e Europës.

Edhe pse aktualisht, korçarët kanë zbritur në kategorinë e parë, sfida në fjalë pritet të jetë interesante dhe e dyluftuar, pasi të dyja skuadrat janë përgatitur seriozisht për sezonin e ri futbollistik. Natyrisht që Vllaznia ka pretendimet të tjera, duke synuar titullin kampion, ndërkohë që korçarët të vendosur për tu rikthyer urgjentisht në Superiore.

Ballafaqimi me korçarët do të jetë testi i fundit përgatitor për Vllazninë në këtë prag sezoni, dhe natyrisht që tekniku Josa do t’i duhet të nxjerrë në fushë emrat që ai ka programuar të luajë në kampionat, pasi vetem 6 ditë më pasë do të luajë ndeshjen e parë zyrtare të sezonit ndaj Erzenit në transfertë.

Pozitive për stafin është normalizimi i parametrave fizikë për sulmuesin kosovar, Liridon Latifi, por nga ana tjetër ajo që shqetëson është dyshja e qëndrës së mbrojtjes, Bulatoviç-Heriç, të cilët për problem dëmtimi nuk u aktivizuan në miqësoren me Dinamon. Vendin e të cilëve në fushën e lojës e zunë Shehi dhe i riu Spahia, që në fakt e bënë mjaft mirë detyrën e tyre.

Ajo që mbetet për t’u parë ka të bëjë me Esat Malën, futbollin e shumë lakuar që në fakt mediatikisht është bërë pjesë e Vllaznisë, por që zyrtarisht, KF Vllaznia, akoma nuk e ka konfirmuar. Pas akordit mes palëve, Mala është në stërvitje me Vllazninë që prej paradites së enjte, por, të paktën nga ajo që informohet zyrtarisht nga drejtuesit e Vllaznisë, për momentin, pengesë është bërë verifikimi i dokumentacionit të futbollistit.

Gjithësesi, edhe për drejtuesit çështja Mala është e mbyllur dhe ai i përket Vllaznisë. Por, tashmë mbetet për t’u parë se si do të veprojë tekniku Josa, pasi me ardhjen e Malës alternativat për një vend të formacionin e parë bëhen më të shumtë. Që do të thotë, se konkurenca rritet ndjeshëm.

Deri të dielen pritet të ketë zhvillime të reja në lidhje me federimin e Esat Malës, dhe nëse gjithçka shkon OK, ish futbollisti i Partizanit, mund të hidhet në fushë që të dielen ndaj Skënderbeut, për të menduar më pas edhe për ndeshjet zyrtare që startojnë fundjavën e ardhshme.

 

 

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img