Monday, April 29, 2024

Kur mblidhen volejbollistet…! Takim brezash nga ish-et e Vllaznisë në vite. Respekt dhe mirënjohje për çka ato i dhanë Shkodrës sportive!

Lexo

Mjafton një shkrepje fotografie, për të sjellë në vemendje vitet e kaluara të volejbollit shkodran të femrave. Kohë e cila, edhe pse Vllaznia në fakt nuk është se mbante kuroren e kampiones, por realisht ishte ndër skuadrat më të mira të kampionatit shqiptar.

Mjafton të kujtojmë vitet e para ’90-tës, kur pallati i sportit i asaj kohe, sot Katedralja e Kishës Katolike “Shën Shtjefni”, mbushej me një numër rekord tifozësh në ndeshjet e basketbollisteve shkodrane.

Një pjesë e atij brezi janë në këtë foto që shoqëron shkrimin. Domenika Hila, Millojka Vaso, Sadie Gogo, Greta Shllaku, Valendita Lleshi(Gemi), janë emra që nuk harrohen lehtë nga publiku shkodran.

Tre të parat sidomos, Domenika dhe Millojka në vitet 1970-85 dhe Sadija në vitet 1978-90, kanë qënë protogoniste edhe të fitimit të trofeut të Kupës së Republikës në vitin 1981, por edhe nënkampione të Shqipërisë për disa vite me radhë.

Ndonëse, disi më të reja dhe me më pak karrierë, Greta Shllaku dhe Valentina Lleshi(Gemi), kanë të njëjtin respekt dhe mirënjohje nga sportdashësit shkodranë për emocionet që ato dhuruan në fushën e lojës.

Millojka dhe Sadija, që kanë preferuar të jetojnë në Shkodër, takohen më shpesh me njëra tjetrën duke konsumuar vazhdimisht kafenë e mëngjesit, apo edhe diçka edhe më shumë në ditët e fundjavave, ndërkohë, Domja, Greta dhe Vali, që jetojnë në Itali, në çdo rikthim në Shqipëri, sapo prekin tokën shkodrane të vendlindjes së tyre, menjëherë telefonojnë ish koleget e sportit.

Kështu ndodhi edhe këtë herë, kur të pesta u bënë bashkë duke kaluar çaste të gëzueshme dhe duke rikujtuar vitet e arta të karrieres së tyre sportive, si dhe trajnerët e respektuar, Mark Grimci, Ali Bushati, Vehbi Sulejmani, Flamur Agolli, Mehdi Temali, etj, të cilët punuan me aq passion dhe përkushtim në vite të ndryshme me volejbollin e femrave të Vllaznisë.

Veriu Sport, në emër edhe të tifozërisë shkodrane, përshëndet me dashamirësi pesëshen e ish volejbollisteve në foto, dhe së bashku me to edhe të gjithë brezat e tjerë që i dhanë lavdi, Vllaznisë në volejboll për femra.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img