Miqësorja e Shqipërisë me Kilin në Parma përveç se është një mundësi e artë për lojtarët, të cilët nuk njihen me skemat e Silvinjos, do të jetë një shans i mirë për shumë kuqezi të tregbojnë atë çfarë dinë të bëjnë në fushën e lojës.
Mbrojtësi i Kombëtares kuqezi, Mario Mitaj është në fokusin e Juventus. “Tuttosport”, një gazetë shumë pranë shoqërisë bardhezi, ka lajmëruar se drejtori sportiv i Juventusit do të jetë në “Tardini” të Parmës për të parë në aksion Mario Mitajn.
Mbrojtësi u transferua tek Lokomotiva e Moskës, në Rusi verën e vitit 2022 për shifrën e tre milionë eurove nga Aek-u i Athinës ndërsa tashmë kartoni i tij vlerësohet diku te pesë deri në gjashtë milionë euro.
Nëse ky lajm konfirmohet, atëherë padyshim që për Mitajn do të ishte shansi i karrierës pasi bëhet fjalë për një nga klubet më të rëndësishme të Italisë dhe Europës.