Skerdi Bejzade nuk është më trajner i Erzenit të Shijakut. Ish futbollisti i Vllaznisë, Elbasanit, dhe i disa skuadrave të tjera të futbollit shqiptar, ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës shijakase, dy ditë përpara ndeshjes së kthimit çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, Vllaznia-Erzeni.
Duket, se shkak është bërë humbja e pësuar tre ditë më parë me Teutën me rezultatin 3 me 0, ku në fakt edhe në prononcimin e pas ndeshjes, Bejzade u shfaq i pakënaqur nga paraqitja e futbollistëve të tij duke dhënë sinjale për një largim nga drejtimi i kësaj skuadre.Lajmi në fjalë konfirmohet zyrtarisht edhe nga KF Erzeni përmes postimit të përcjellë në rrjetet sociale.
“K.F Erzeni njofton mbylljen e bashkëpunimit me konsensus me Trajnerin Z.Skerdi Bejzade. K.F Erzeni falënderon trajnerin për kontributin e dhënë në ekip dhe i uron suksese”, shkruhet në postimin e KF Erzeni.
Kjo është dorëheqja e dytë brenda këtij sezoni futbollistik që tekniku elbasanas largohet nga drejtimi i skuadrave të Superiores. Më herët, Bejzade, ka dhënë dorëheqjen nga posti i trajnerit të Laçit, duke zëvëndësuar Stavri Nicën ku arriti të grumbullojë 6 pikë në 5 ndeshje, 2 fitore e 3 humbje. Ndërkohë që tashmë largohet edhe nga drejtimi i Erzenit me bilancin, dy fitore, një barazim dy humbje.
Nga sa mësohet, skuadrën shijakase në përballjen e së mërkurës, Vllaznia-Erzeni, e vlefshme për çerekfinalen e dytë të Kupës së Shqipërisë do ta drejtojë, ish trajneri i Erzenit, Alfred Deliallisi, sot drejtor sportive i KF Erzeni.