Që prej mbrëmjes së sotme, Vllaznia në basketboll për meshkuj nuk do të ketë në drejtim trajnerin Damian Bekteshi. Një trajner mjaft punëtor, i cili i ardhur nga radhët e ekipet Vllaznia si basketbollist titullar, e mori Vllazninë në momente aspak të mirë, kur skuadra ra nga kategoria dhe arriti ta ngrejë në nivele pretendenti. Por, me sa duket, fillimi jo i mirë i këtij sezoni sportiv, 2024-2025, ku Vllaznia pësoi disa humbje radhazi, ka bërë që Bekteshi të marrë vendimin e dorëheqjes nga drejtimi i skuadrës. Një vendim të tillë, ai e ka ndarë me miqtë e tij në rrjetet sociale, ku shkruan”
Të nderuar sportdashës të Vllaznisë,
Pas ndeshjes së fundit ndaj Teutës, kam vendosur të tërhiqem nga detyra si trajner i Vllaznisë. Ky ka qenë një vendim i vështirë, por i marrë me qëllimin më të mirë për ekipin dhe të ardhmen e tij.
Jam krenar që kam pasur mundësinë të jem pjesë e kësaj skuadre të madhe, që përfaqëson jo vetëm Shkodrën, por edhe pasionin dhe traditën e basketbollit shqiptar.
Ndërsa largohem nga ky post, mbetem gjithmonë pjesë e familjes së madhe të Vllaznisë. Falenderoj lojtarët, stafin dhe tifozët për mbështetjen e tyre të palodhur. Ju siguroj që zemra ime do të jetë gjithmonë me këtë ekip dhe me këtë qytet që dua pa masë.Me respekt dhe mirënjohje, Damian Bekteshi
Ndërkohë, vendimin e dorëheqjes së trajnerit Damian Bekteshi e ka konfirmuar më pas edhe kryesia e Shoqatës së Basketbollit Vllaznia, me postimin në vijim:
NJOFTIM NGA KLUBI I BASKETBOLLIT VLLAZNIA
Pas ndeshjes së fundit ndaj Teutës, trajneri Damian Bekteshi ka vendosur të tërhiqet nga posti i trajnerit të skuadrës sonë. Ky ka qenë një vendim i marrë nga ana e tij me qëllimin më të mirë për ekipin, dhe ne e respektojmë maksimalisht.
Trajneri Bekteshi ka qenë një figurë kyçe për Vllazninë gjatë këtyre tre viteve. Nën drejtimin e tij:
- Ekipi ynë arriti deri në finalet e kampionatit në sezonin e parë.
- Vjet, ai e udhëhoqi skuadrën nga objektivat për mbijetesë deri në gjysmëfinale, ku zhvilluam një betejë të ashpër me Teutën.
Falenderojmë Damian Bekteshin për përkushtimin, punën e palodhur dhe pasionin që ka treguar për skuadrën tonë. Ai mbetet gjithmonë pjesë e familjes së madhe të Vllaznisë, dhe i urojmë suksese në hapat e tij të ardhshëm. Me respekt, Klubi i Basketbollit Vllaznia.
Trajneri i ri, Eni LLazni…
Nga sa mësohet, pas vendimit të dorëheqjes së trajnerit Damian Bekteshi, drejtuesit e Shoqatës së Basketbollit Vllaznia kanë nisur lëvizjet për emërimin e trajnerit të ri. Gjithnjë, sipas informacioneve brenda kampit kuqeblu të basketit meshkuj, por që nuk janë zyrtare, mësohet se kandidati për të marrë drejtimin e Vllaznisë në basketboll për meshkuj është Eni Llazani, një emër shumë i njohur si ish basketbolllist i Vllaznisë dhe i skuadrave të tjera, ndërkohë që për disa vite ka drejtuar me korrektësi dhe cilësi ekipin e Kamza Basket. Gjithnjë nga burimet brenda kampit kuqeblu të basketit për meshkuj, zyrtarizimi i trajnerit të ri të Vllaznisë, që mund të jetë Eni Llazani, djali ish basketbollistit të Vllaznisë dhe të kombëtares, Korab Llazani, për disa vite mbajti postin më të lartë të sekretarit të FSH të Basketbollit, pritet të bëhet gjatë ditës së enjte.