Pas angazhimeve me Kombëtaren, futbollistët shqiptarë janë rikthyer te klubet e tyre duke dhënë sinjale pozitive në kampionatet ku aktivizohen.
Një nga protagonistët e javës ishte mbrojtësi i Kombëtares, Ardian Ismajli, i cili zhvilloi një paraqitje shumë të mirë në sfidën ndaj Pizës. Skuadra e Torinos arriti një fitore minimale 1-0 në transfertë, ndërsa mbrojtësi shqiptar u vlerësua si lojtari më i mirë i ndeshjes falë paraqitjes së tij shumë solide në repartin difensiv.
Pozitiv ishte edhe kontributi i Arbër Hoxhës në kampionatin kroat. Sulmuesi shqiptar u aktivizua në minutën e 65-të në sfidën mes Dinamo Zagreb dhe Osijek, e cila u mbyll me rezultatin e thellë 7-0. Vetëm tre minuta pas hyrjes në fushë, Hoxha dha asistin për Beljo, i cili realizoi golin e gjashtë të takimit.
Paraqitje të mirë pati edhe Myrto Uzuni në kampionatin amerikan. Sulmuesi shqiptar kontribuoi me një asist në barazimin 2-2 që Austin mori në transfertë ndaj Inter Miami. Uzuni ishte shumë aktiv gjatë ndeshjes dhe në fillim të pjesës së dytë dha pasimin vendimtar për Nelson, i cili shënoi golin e avantazhit të përkohshëm 2-1 për ekipin e Austin.
Gjatë kësaj fundjave si titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Thomas Strakosha, Klisman Cake, Juljan Shehu, Kristjan Asllani dhe Qazim Laçi, të cilët vijojnë të jenë pjesë e rëndësishme e ekipeve ku aktivizohen.


