Monday, November 25, 2024

Lektori i njohur i shkollës italiane, De Feis, në kursin e skautit shpjegon rëndësinë e komunikimit në futboll

Lexo

Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar për herë të parë kursin për skautët e futbollit, që udhëhiqet nga Sektori i Edukimit në FSHF dhe që ka tërhequr interesin e shumë të apasionuarve pas futbollit apo profesionistëve, të cilët punojnë aktualisht në fushën e futbollit e të cilët duan të specializohen në zbulimin e talenteve, duke qenë të pajisur edhe me një licencë përkatëse.

Kursi është i ndarë në tre periudha për t’u përmbyllur më datën 1 qershor dhe synimi është që t’u ofrojë pjesëmarrësve mbështetjen dhe njohuritë e nevojshme stërvitore e përgatitore për të zhvilluar aktivitete në lidhje me vëzhgimin, analizën, vlerësimin dhe skautimin e lojtarëve dhe ekipeve. Programi ka qenë i larmishëm dhe gjatë kursit janë trajtuar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me profilin e skautit, që nga analiza e të dhënave, aspekti taktik, etj.

Në seancën e radhës i ftuar ka qenë Guglielmo De Feis, një lektor i njohur i shkollës italiane të Koverçanos në Itali, i cili ka folur për rolin që ka inteligjenca kulturore në futboll. Në një prononcim dhënë për Fshf.org, lektori i njohur italian ka shpjeguar se në kohët e sotme komunikimi është thelbësor, por është shumë e rëndësishme të njohësh disa rregulla dhe kode kulturore.

“Jam mësues i Inteligjencës Kulturore në Futboll në Koverçano prej 7 vitesh, është një lëndë e re që Federata Italiane e ka përfshirë e para në program. Jam njohur me përfaqësues të FSHF-së, të cilët na vizituan gjatë muajit janar në Koverçano dhe atyre iu duk interesant ky leksion. Që aty nisi ky bashkëpunim me FSHF-në dhe më pëlqen ideja që edhe Federata Shqiptare do të trajtojë këtë lëndë, që unë e vlerësoj si shumë të rëndësishme.

Të përshkruash në pak fjalë inteligjencën kulturore nuk është e lehtë, por mund ta shpjegoj kështu: komunikimi në ditët e sotme është shumë i rëndësishëm, është e qartë që për të komunikuar në mënyrën e duhur është thelbësore të njohësh disa rregulla. Nuk mjafton të njohësh vetëm gjuhën, por edhe të njohësh kodet kulturore të caktuara.

Ju jap një shembull, edhe nëse duam të flasim me një model gjuhe siç është ChatGPT duhet ta bëjmë në mënyrën e duhur, sepse vetëm me gjuhën e duhur është e mundur të kesh një përgjigje të përshtatshme. Nëse duam të përdorim inteligjencën artificiale duhet të njohim gjuhën e programacionit dhe kodet e algoritmit, sepse vetëm me të dhënat e duhura mund të kemi një përfundim korrekt”, – thotë De Feis, duke prekur më tej edhe rolin që do të ketë inteligjenca artificiale në përpunimin e të dhënave dhe sa e rëndësishme është inteligjenca njerëzore për të bërë diferencën e për të pasur rezultate sa më produktive.

“Edhe pse duket paradoksale në fakt edhe inteligjenca njerëzore funksionon në këtë mënyrë. Te mendosh që njohuria e një gjuhe neutrale, siç mund të jetë për të gjithë anglishtja, të jep mundësinë të kesh një bisedë të mirë është e gabuar, sepse një italian që flet anglisht në fakt e flet me kodin e tij kulturor. Një shqiptar që dëgjon anglisht e bën këtë sipas kodit të tij kulturor. Ja pse mund të lindin keqkuptimet që teknikisht mund të japin të njëjtin gabim të kompjuterit të tipit ‘gabim sintaksor’. Kështu që për të pasur biseda korrekte duhet të njohësh këto norma mbi kodet kulturore që ishin edhe temat e leksionit të sotëm.

Figura e skautit, e vëzhguesit apo e analistit të ndeshjes janë figura moderne që janë përfshirë në futboll. Përpjekjet janë për të përmirësuar profesionalizmin dhe në këtë moment ekziston rreziku që këto profesione në një farë mënyre mund të asgjëson nga inteligjenca artificiale, sepse në epokën e sotme një kompjuter do të mund të analizojë dhe nxjerrë informacionin e duhur nga të dhënat e shumta më shpejt se një vëzhgues. Ja përse vëzhguesi me inteligjencën njerëzore duhet të punojë jo më me statistikat dhe probabilitetet, por duhet të jetë në gjendje të punojë me ato veçori, që vetëm kompetenca dhe eksperienca e tij personale mund ta bëjnë një njeri të konkurrojë me një kompjuter”, – theksoi ndër të tjera lektori i Koverçanos, i cili ka edhe një karrierë si futbollist ndërsa aktualisht është një nga profesorët më të mirë të Sektorit Teknik të Federatës Italiane të Futbollit.

Kursi për skautizmin është më i fundit i një sërë programesh formimi për profesionistët e futbollit që ofron Federata Shqiptare e Futbollit, ndërsa ata që do të përfundojnë me sukses kursin do të pajisen me një licencë nga FSHF për ushtrimin e këtij profesioni.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img