Lajmi më i freskët në radhët e kampit kuqeblu ka të bëjë me një lëvizje të papritur të njërit prej drejtuesve kryesorë të klubit. Bëhet fjalë për largimin nga detyra të drejtorit të Akademisë Vllaznia, Arben Maliqi. Një lëvizje e papritur duhet thënë, pasi këto ditë zoti Maliqi me stafin e tij ishte shumë aktiv në organizimin e strukturave të Akademisë Vllaznia për sezonin e ri futbollistik 2021-2022. Pas ndeshjes miqësore Vllaznia-Burreli zhvilluar mbrëmjen e së premtes në stadiumin “Loro Boriçi”, bazuar në mbledhjen e organizuar në mjediset e stadiumit me pjesëmarrjen edhe pjesëtarëve të tjerë të stafit drejtues të KF Vllaznia, u bë e ditur për emërimin në drejtimin e ekipit Vllaznia U-19 të Vioresin Sinanit si dhe në krye të skuadrës U-21, anglezit Dean Paul Sibson. Ndërkohë, po nga vetë Maliqi dhe kolegët e tij u premtua se në ditët në vijim do të mësoheshin zyrtarisht edhe lëvizjet e tjera me emrat përkatës në drejtimin e ekipeve të moshave pranë Akademisë Vllaznia. Ndërkohë, mbrëmjen e sotme, lajmi zyrtar i KF Vllaznia bën të ditur largimin e tij nga detyra.
“NJOFTIM
Klubi i futbollit Vllaznia njofton largimin nga detyra te Drejtorit te Akademise Z. Arben Maliqi. Mbyllja e bashkepunimit ndermjet paleve vjen per arsye te angazhimeve personale te z.Maliqi, dhe me qellim per ti dhene hapesire specialisteve te futbollit ne drejtimin profesional te Akademise. Falenderojme perzermersisht Z. Maliqi per kontributin e jashtezakonshem ne reformimin e Akademise gjate sezonit te kaluar, ku fale menaxhimit te tij profesional Akademia Vllaznia arriti ne nje nivel te ri.”,-thuhet në njoftimin e KF Vllaznia