Thursday, November 21, 2024

Liga e Kombeve, sot ora 16:00, Shqipëri-Bjellorusi

Lexo

Kombëtarja jonë do të zhvillojë ditën e sotme ndeshjen e fundit të vlefshme për grupin 4 të C të Ligës së Kombeve duke pasur përballë kombëtaren e Bjellorusisë. Një sfidë kjo shumë e rëndësishme për kuqezinjtë e drejtuar nga italiani Edi Reja, ose më saktë një finale më vete, sepse nga ky ballafaqim varet fati i skuadrës  së parë të grupit. Miqve i mjafton edhe barazimi për të ruajtur pozitat e vendit të parë, ndërkohë që për Shqipërinë kërkohet vetem fitorja tre pikëshe për të arritur objektivin e kualifikimit. Krahas mungesave të tjera, për dëmtime, apo edhe rasti më i fundit me shkodranin Hysaj që rezultoi pozitiv në analizat e Covid 19, e kanë shqetësuar jo pak italianin e pankinës kuqezi, Edi Reja. Në konferencven për shtyp të organizuar si zakonisht një ditë përpara ndeshjes, trajneri Reja dhe kapiteni Etrit Berisha pranuan problemet, por gargantuan se do të bëjnë më të mirën për të marrë fitoren tre pikëshe në këtë ndeshje.

“Nuk mund të bëj konsiderata për ndeshjet e kaluara. Kjo është një ndeshje e veçantë sepse është një finale. Flitet për tension dhe presion te lojtarëve. Sigurisht ne duhet të kemi presionin e duhur dhe jo të shqetësohemi. Duhet të jenë të qetë dhe mos të kenë presione të veçanta. Kemi siguri, kemi punuar mirë. Nuk duhet të ndjejnë peshën e përgjegjësisë. Duhet të kenë besimin e njerëzve dhe të stafit teknik, duhet të jenë të qetë. Presioni është pjesë e futbollit. Presioni ndonjëherë të ndihmon edhe të përqëndrohesh. Jam i bindur që do të bëjmë një ndeshje të mirë. Mos të bëjmë gabime, të nisemi me nxitim, duhet të kemi agresivitet, duhet të kemi ekuilibër.”, u shpreh ndër të tjera tekniku Reja.
Ndërkohë, i pyetur për të ardhmen e tij pas kësaj ndeshje, Reja tha:”Sigurisht unë mbaroj këtë edicion dhe pastaj do të filloj një edicion tjetër. Nuk është çështje që më takon tani ta mendoj. Kemi një kontratë që e ka të përcaktuar kur mbaron. Janë gjëra që nuk varen nga unë. Unë jam këtu dhe përpiqem të jap maksimumin. Më pas do të jetë Federata ajo që do të nxjerrë konkluzione se çfarë kemi bërë tani. Programi vazhdon. Një ndeshje nuk mund të jetë vendimtare për të nxjerrë konkluzione për një edicion tjetër. Kjo është një pjesë që i takon Federatës.”

Për portjerin Etrit Berisha që mban edhe shiritin e kapitenit të skuadrës, kjo ndehsje është shumë e rëndësishme në shumë plane. “ Skuadra është shumë e motivuar për këtë ndeshje dhe jemi duke përgatitur edhe detajet e fundit. Do të jetë një ndeshje e vështirë si të gjithë të tjerat, mirëpo mendojmë që kualitetin ne e kemi dhe të gjitha mundësitë e tjera po ashtu. Sa i përket pyetjes tjetër që kemi pësuar vetëm dy gola, jemi të lumtur, pasi kanë qenë dy gola të evitueshëm dhe nuk kemi pësuar gola nga aksionet e kundërshtarit. Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm dhe me siguri ndeshja e ardhshme është ajo më e rëndësishmja ku do mundohemi që të fitojmë.”, tha kapiteni Berisha. Ndërkohë, për golin e pësuar me Kazakistanin, Berisha shtoi: “Jo, është një gol që mund të ishte i evitueshëm dhe komentet do të jenë të ndryshme, por nuk është se unë aty do rri dhe do i shikoj se çfarë kanë shkruar dhe çfarë kanë bërë. Me rëndësi është se e di se ku ishte gabimi apo vendosja ime ishte pak më e lartë se ç’duhej dhe kjo përfundon këtu. Kurse goli, mundësia që i kanë dhënë atij, ka provuar, për shkak se ne në fushë ndiheshim që Kazakistani nuk mund të na rrezikonte. Ndoshta e ka parë atë mundësi dhe ishte fatlume për të.”

Në mbyllje, ai shtoi se “ne e kemi kualitetin në ekip dhe kualiteti që kemi ne është më i lartë se të gjitha ekipet e tjera dhe këtë duhet ta shfrytëzojmë. Nuk kemi asgjë për të kalkuluar, për barazim, apo gjëra të tjera. Duhet të futemi qetë dhe duhet të fitojmë lojën. Do luajmë edhe në shtëpi dhe të gjithë çunat janë të vetëdijshëm që duhet të japin maksimumin.”

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img