Partizani dhe Atletic Escaldes, luajnë sot ndeshjen e dytë e vlefshme për turin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Sfida e parë e luajtur në Andorra është fituar nga Partizani me rezultatin 0 me 1, duke i dhënë një shans shumë të madh të kuqve për të kaluar turin.
Gjithësesi, duhet pritur ndeshja e dytë, e cila luhet sonte në stadiumin “Air Albania” duke filluar nga ora 20:45. Në pritje të kësaj sfide, Partizani ka mbyllur pasditen e djeshme përgatitjet e fundit, teksa tashmë të gjithë sytë e sportdashësve do të jenë te kryeqytetasit. Këtë herë Zoran Zekiç është nën presion pasi në ditët e kaluara kuptoi se në Tiranë nuk mjafton vetëm rrezultati, por duhet edhe loja e bukur.
Për këtë duel trajneri kroat nuk do të mund të llogarisë shërbimet e Alfredf Mensah, me këtë të fundit që pak ditë më parë është operuar, ndërsa pjesa tjetër do të jetë e gjitha nën urdhrat e tij.
“E kemi analizuar ndeshjen e parë. Ne mund të jemi të lumtur për rezultatin në Andorra, por jo për mënyrën si luajtëm. Por ne kemi parë dhe sa gjëra nuk bëmë mirë, taktikisht, në vrapim, pa agresivitet, duke qenë në vonesë shpesh. Për të vazhduar më tej duhet të ndryshojmë shumë gjëra. Kam folur me ekipin. Nuk ka kundërshtar të lehtë pas tre javësh në këtë kompeticion, por ne duhet të kuptojmë që duhet përqendrim i madh dhe të jemi shumë më mirë. Ne e pamë për shembull se si Ferencavaroshi luajti ndaj skuadrës të Ishujve Faroe, se si skuadra tjetër e Andorras fitoi ndaj Hibernian. Ndaj duhet të mendojmë për këto shembuj.”, tha ndër të tjera gjatë konferencës për shtyp të pragndeshjes, trajneri i të kuqve, Zekiç.
Bazuar në atë që ka aplikuar gjatë procesit stërvitor, trajneri Zekiç, pritet të hedhë në fushë këtë formacion : Qirko; Hadroj, Sota, Kocijan, Atanaskoski; Murataj, Mehmeti, Rrapaj; Grezda (Da Silva), Mba, Cara.