Peja-Vllaznia 63:74 (25:15, 19:18, 7:12, 12:29)
Vllaznia e Shkodrës në basketboll për meshkuj i ka bërë një mbyllje dinjitoze pjesëmarrjes në Ligën Unike, teksa ka mundur në transfertë Pejen, skuadër në të cilën luan edhe shkodrani i talentuar, Daniel Lekndreaj. Ndeshja në fjalë është luajtur mbrëmjen e së enjtes në pallatin e sportit të Pejës dhe ishte e vlefshme për në xhiron e 13-të, e fundit për kompeticionin e përbashkët, Shqipëri-Kosovë.
Pejanët e nisën ndeshjen shumë më mirë dhe gjatë periodës së parë ishin në epërsi, ku më e larta ishte 23:9, ndërsa kjo pjesë përfundoi 25:15. Verdhezinjtë vendas vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, duke ngritur edhe më shumë epërsinë, që shkoi deri në 18 pikë, por në fund të kësaj pjese, është Vllaznia që përmirëson lojën duke bërë që shifrat të ngushtohent, duke bërë që pjesa e parë të përfundojë me rezultat 44:33, gjithnjë në favor të ekipit pejan.
Ndryshe nga starti i takimit, i cili ishte i tëri i vendasve, pjesa e dytë ka pamje krejt tjetër duke me një Vllazni që dominon në fushën e lojës. Kështu, perioda e tretë, e cila u zhvillua me një lojë me më shumë gabime, janë shkodranët që përfitojnë duke e fituar këtë periodë me me shifrat 7-12 duke shkurtuar disavantazhin në mbyllje të periodës së tretë me rezultatin në 51:45.
Por, kuqeblutë nuk mjaftohen me kaq dhe duke vazhduar me një lojë më të mirë edhe në dhjetë minutat e periodës së katërt, e fitojnë këtë periodë me shifrat 12-29 duke bërë që rezultati përfundimtar në mbyllje të 40-të minutave lojë efektive të ishte 63:74 në favor të Vllaznisë.
Shënuesi më i mirë i kësaj ndeshje ishte Andre Walker i Vllaznisë me 21 pikë, ndërsa te skuadra pejane u dallua Daniel Lekndreaj me 15 pikë e 11 kërcime. Në mbyllje të javës së 13-të Ligës Unike, Pejanët kanë nëntë fitore e katër humbje, kurse shkodranët tri fitore e dhjetë humbje.