Golden Eagle Ylli-Vllaznia 86:67 (32:14, 16:18, 23:11, 15:24)
Vllaznia e basketit për meshkuj ishte mysafire mbrëmjen e sotme në Kosovë duke u përballur me ekipin Golden Eagle Ylli, ndeshje kjo për javën e tetë të Ligës Unike, Shqipëri-Kosovë.
Një sidë kjo shumë e vështirë për skuadrën kuqeblu për vetë situatën problematike që akoma vazhdon të jetë prezente në Shoqatën e Basketbollit Vllaznia pas largimit të presidentit.
Vështirësia e Vllaznisë shtohej edhe më shumë kur përballë kishte skuadrën kampione të Kosovës, Golden Eagle Ylli, skuadër kjo që është pretendente edhe për fitimin e trofeut të Ligës Unike.
Vendasit e nisën ndeshjen më mirë dhe në periodën e parë dominuan gjithçka në fushën e lojës duke e fituar atë me shifrat 32:14. Ndonëse me elementë të rinjë në formacion, trajneri shkodran Bledar Gjeçaj arrin që në periodën e dytë të motivojë skuadrën e tij, e cila duke përmirësuar disa elementë të lojës arrin të rivalizojë kampionen e Kosovës, madje edhe ta fitojë këtë period me shifrat 16-18. Por që, gjithësesi pjesa e parë të mbyllet me avantazhin e Yllit me rezultatin 48-32.
Drejtimin në fitoren e ndeshjes së sotme, basketbollistët kosovarë të Golden Yllit e morën në periodën e tretë, ku pas një lojë më të mirë se shkodranët e rrisin epërsinë nga minuta në minute duke e thelluar avantazhin pas 30 minutash në shifrat 71:43.
Me këtë diferencë të dukshme prej 28 pikësh në favor të vendasve, fitorja e Golden Yllit dukej krejt afër, ndaj dhe të dyja skuadrat në dhjetë minutat e periodës sëe fundit aktivizojnë lojtarët e stolit. Minuta këto që favorizuan më tepër Vllazninë e teknikut Gjeçaj që e fiton periodën e katërt 15-24.
Diferenca e krijuar pas periodës së tretë, bën që vendasit e Golden Yllit të jenë fitues në përfundim të krejt ndeshjes me rezultatin e përgjithshëm 86:67. Fitore kjo që ishte e shtata për Yllin kundrejt një humbje. Ndërkohë, nga ana tjetër, përkundër shtatë fitoreve të Golden Yllit janë shtatë humbje të Vllaznisë, e cila ka vetëm një fitore të realizuar.
Në aspektin teknik, në formacionin e Golden Eagle Ylli spikatjen më të madhe e kishte kapiteni Gëzim Morina që shënoi 17 pikë, ndërkohë që tek Vllaznia më i dalluari ishte amerikani Charleston Dobbs me 20 pikë të shënuara.