Vllaznia-Rahoveci 84:93 (16:15, 26:22, 31:22, 11:34)
Java e pestë e Ligës Unike në basketboll për meshkuj ballafaqoi mbrëmjen e së dieles në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, Vllazninë vendase dhe Rahovecin mysafir.
Një ndeshje që filloi në mënyrën më të mirë për skuadrën kuqeblu, e cila e drejtuar nga trajneri Nikola Milatoviç fiton periodën e parë me rezultatin 16-15. Vllaznia vijon të luajë mirë edhe në periodën e dytë, dhe për këtë flasin shifrat 26-22 në favor të kuqebluve, të cilët shkojnë në dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve me avantazhin prej 5 pikësh diferencë, 42-37.
Kuqeblutë vazhdojnë ta mbajnë në fuqi avantazhin edhe gjatë periodës së tretë, madje duke e çuar deri në 15 pikë plus, ndërkohë që mbyllja e periodës së tretë fikson rezultatin, Vllaznia 73 dhe Rahoveci 59.
Me këtë avantazh, duket se fitorja e Vllaznisë është një formalitet, por basketbolli jo pak herë ka njohur përmbysje, madje edhe në diferenca edhe më të mëdha. Dhe, ndodhi ajo që askush nuk e besonte. Një periodë e katërt katastrofë për skuadrën kuqeblu, e cila zhgënjen në të gjitha drejtimet. Sulm i dobët dhe pa saktësinë në gjuajtje, shoqëruar me një mbrojtje të hapur, bën që miqtë nga Kosova të Rahovecit të shënojnë 30 pikë në periodën e katërt ndaj 11 të Vllaznisë duke bërë që nga minus 15 pikë ta kthejnë lojën në favorin e tyre më plus 9 pikë, dhe në mbyllje fiksojnë rezultatin përfundimtar në fitim të Rahovecit, 84 me 93.
Një humbje, e cila kërkon patjetër vemendjen e duhur përmes një analize serioze, pasi situata të tilla, kur Vllaznia lëshon në periodën e fundit duke i ikur fitorja nga duart janë përsëritur edhe në ndeshjet e tjera të mëparshme.