Ishte përfolur prej ditësh, ose më saktë, prej largimit të trajnerit Tomas Brdariç, që emri i Matko Djarmatit ishte në listë për për të ndërprerë bashkëpunimin me Vllazninë. Gjithçka vinte nga rezultatet e dobëta që skuadra kuqeblu po reflektonte në kampionat, ku nga një skuadër pretendente për titull, u spostua edhe nga zona europiane.
Natyrisht, që krahas trajnerit të parë, Brdariç, lista e atyre që mbajnë përgjegjësinë e asaj situate vjen duke zbritur edhe më poshtë, tek kolegët e tjerë të stafit teknik dhe deri tek pozicioni i drejtorit sportiv të klubit. Patjetër që fitimi i Kupës së Shqipërisë, është një frymëmarrje jo e pakët edhe për stafin aktual, por që në një farë mënyre, meritat më të shumta shkuan tek trajneri Mirel Josa.
Megjithatë, Djarmati ishte aty, pjesë e këtij stafi që e mbylli sezonin me fitimin e një trofeu, siç është Kupa e Shqipërisë dhe pjesëmarrja në Europë . Por, sa i përket vazhdimësisë, tashmë gjërat kanë ndryshuar, edhe për faktin se në krye të skuadrës është trajneri Mirel Josa, i cili ka marrë kompetencat e plota nga ana e presidentit Alban Xhaferi për ndërtimin e skuadrës së re. Kështu që, i pari që e pëson në këtë drejtim është drejtori sportiv, Matko Djarmati, i cili mesa duket nuk është në preferencat e Josës për vazhdimësinë e bashkëpunimit në kampin kuqeblu.
NJOFTIM
“KF Vllaznia bën të ditur se kontrata me drejtorin sportiv z. Matko Djarmati ka përfunduar. Në këto rrethana, duke e falenderuar për punën e mirë që ka bërë në këto dy vite që ka qenë pjesë e klubit tonë, i urojmë suksese në karrierën e tij të mëtejshme.”, shkruhet në njoftimin zyrtar të klubit kuqeblu.
Ndërkohë, sa i përket vazhdimësisë, burimet pranë klubit shkodran, bëjnë të ditur se pas Djarmatit, pritet të ketë edhe largime të tjera nga klubi Vllaznia, të cilat do të bëhen të dituara në ditët e javës së ardhshme, kur skuadra do të kthehet nga pushimet për të vijuar punën përgatitore për pjesëmarrjen në Kupat e Europës.