Turneu ndërkombëtar “Muhamet Malo” në mundje mbërrin në edicionin e tij të pestë. Tashmë me një pjesëmarrje më të gjerë, sepse bëhet fjalë për një turne ndërkombëtar botëror, që ka vlerë në renditje. Gjithçka do të nisë të mërkurën më 26 shkurt dhe do të përfundojë më 2 mars, ndërsa e gjithë veprimtaria do të zhvillohet në sallën olimpike “Feti Borova”.
Sipas informacionit që jep zyrtarisht Federata Shqiptare e Mundjes, pritet të jenë mbi 700 sportistë nga e gjithë bota, ndërsa do të konkurrohet në mundjen e lirë, klasike ose greko-romake dhe për femra. Pritet që delegacionet sportive të kenë në gjirin e tyre Kampion Bote, apo Kampion Olimpik, kurse Shqipëria ka shpallur dhe listën e sportistëve të vet.
Në stilin e lirë do të konkurrojnë Endrio Avdyli (Pesha 57 kilogram), Zelimkan Abakarov (pesha 61 kilogram), Islam Dudaev (pesha 65 kilogram), Klevis Preçi (pesha 65 kilogram), Eriglent Prizreni (Pesha 70 kilogram), Shermen Valiev (pesha 74 kilogram), Orges Lila (Pesha 79 kilogram). Në mundje për femra e vetmja përfaqësuese e Shqipërisë do të jetë Albina Drazhi në peshën deri në 65 kilogram.
Më pas në mundjen greko-romake gjithçka nis me Bajram Sina në peshën 55 kilogram. Për të vazhduar me Andi Muça (pesha 55 kilogram), Ergi Uku (pesha 60 kilogram), Ardit Zeneli dhe Gjetë Prenga (pesha 67 kilogram), Emiljano Tafa e Xhorxh Frrokaj (pesha 72 kilogram), Klodian Shehu dhe Kevin Kupi (pesha 77 kilogram), Boris Frrokaj, Ardit Ndoj dhe Kejsi Nelaj (Pesha 82 kilogram) dhe Rigers Kurti (pesha 130 kilogram).
Sigurisht që pritet një përfaqësim dinjitoz dhe me medalje për mundjen shqiptare në turneun ndërkombëtar “Muhamet Malo”.