Akademia e Arbitrimit mbylli edicionin e saj të pestë me një ceremoni ku u diplomuan plot 50 arbitra të rinj, përfshirë 4 vajza.
Në ceremoninë e zhvilluar në ‘Shtëpinë e Futbollit’, ku u shpërndanë diplomat për 50 pjesëmarrësit ishin të pranishëm Presidenti i BASHF, Tahir Kastrati; Sekretari i Përgjithshëm i BASHF, Klajdi Kola; shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci.
Ky edicion i Akademisë së Arbitrimit nisi në muajin mars dhe u organizua në dy faza, duke përfshirë aspekte teorike dhe praktike të arbitrimit në futboll. Gjatë fazës së parë, arbitrat u njohën me rregullat e lojës dhe i zbatuan ato gjatë ndeshjeve në kampionatet e moshave, duke fituar përvojë praktike.
Ndërsa gjatë fazës së dytë, arbitrat patën mundësi të përfshiheshin në video-analiza dhe morën informacione mbi administrimin e ndeshjeve dhe menaxhimin e situatave të ndërlikuara gjatë 90 minutave të lojës.
50 arbitrat e diplomuar janë pajisur me Kategorinë e III-të të Arbitrimit, teksa ky është një hap i rëndësishëm në karrierën e tyre, duke i përgatitur për të gjykuar ndeshje më të avancuara.
Pas përfundimit të kursit, arbitrat do të integrohen në kolegjiumet përkatëse, ku do të vazhdojnë aktivitetin e tyre në kuadër të ndeshjeve kombëtare dhe rajonale.