Friday, November 22, 2024

Megi Doçi, “mina pa sahat” e futbollit të femrave në Shqipëri

Lexo

Historia unike e futbollistes që i ka emocionuar të gjithë me talentin e saj. Si ishin hapat e saj të parë në futboll, sukseset me klubin e Vllaznisë dhe Kombëtaren e deri te rekordi i golave të shënuar në sezonin 2019-2020: plot 88 të tillë.

“Po të pashë që luan me djemtë, do të rrah!” Kështu i thonte shpesh e ëma Megit Doçit kur ishte e vogël. Ajo luante futboll, sepse thjesht kishte shumë dëshirë dhe ishte fëmijë që i pëlqente sporti.

“Mami nuk kishte qejf që unë të luaja futboll, sepse vritesha dhe çahesha nga këmbët dhe në shtëpi shkoja gjithë shenja. Gjithë mësuesit kishin dëshirë të më shihnin teksa luaja dhe kërkonin nga unë që të luaja se do i thonin ata mamit, por unë kisha frikë se ajo do më rrihte vërtetë, sepse shtëpia ime në fshat gjendej në një kodër dhe mami e kishte shkollën në pëllëmbë të dorës”, – thotë Megi Doçi në një intervistë të dhënë për Federatën Shqiptare të Futbollit.

Historia e Megi Doçit, futbollistes së kombëtares shqiptare për femra, e cila është shpallur golashënuesja më e mirë në kampionatin e femrave në Shqipëri edhe për këtë edicion është vërtetë unike dhe e rrallë. Ajo lindi në 14 tetor të vitit 1996 në një fshat të Burrelit, pa e ditur se një ditë, do të bëhej emri më i lakuar sa i përket futbollit të femrave në Shqipëri. Kur ishte e vogël, i ati e mbante pranë teksa ndiqnin ndeshjet e kombëtares së Gjermanisë bashkë dhe kështu futbolli u bë loja e saj e preferuar.

“Unë nuk kam pasur ndonjëherë kukulla, vetëm topa futbolli. Dhurata ime e parë ka qenë një top futbolli. Edhe sot vazhdojnë edhe më dhurojnë po të njëjtën lodër. Lodra ime e vetme.”

Deri në moshën 12 vjeçare, ajo ka qëndruar në fshatin e saj të lindjes dhe ka luajtur futboll amator me shokët dhe shoqes e shkollës, derisa mori vesh se në kryeqytet ishte hapur një ekip futbolli vetëm për vajza: Dardania. Familja e tezes së saj u ofrua që ta ndihmonte Megin dhe i ofroi familjes së saj dhe Megit mbështetjen e plotë që ajo të ndiqte pasionin e saj. “Një ditë erdhi burri i tezes dhe tha : Meqë vajza ka dëshirë të luajë futboll dhe nëse edhe ju keni dëshirë të vijë, ne do i përgjigjemi, do e fusim në shkollë në Tiranë dhe do e aktivizojmë në një klub futbolli.”

Pak ditë më vonë, Megi mori vetëm çantën e saj të shpinës dhe u largua nga fshati, duke lënë pas prindërit dhe topin e futbollit për të ndjekur ëndrrën e saj. “Topin nuk e mora me vete, pasi topi më priste në Tiranë. Mamin e lashë duke qarë dhe me vete kisha marrë vetëm një çantë. Ky ka qenë momenti im më i vështirë, pasi është ajo mungesa e nënës dhe babait që nuk shlyhet me asgjë, sepse edhe teknologjia nuk ka qenë kaq e zhvilluar sa sot”, – rrëfen Megi.

Ndryshimi i ambientit nuk ka qenë kurrsesi i lehtë për të, por gjithmonë ajo gjente mbështetje te loja.“Ishte e vështirë ardhja këtu, pasi më mungonte familja, ndërrova shoqërinë, kalova nga fshati në qytet dhe jeta këtu është më e vështirë se në fshat. E vështirë shumë, sepse nuk njihja njeri, por gjeja gjithmonë mbështetje te loja.”

Fanella e parë që ka veshur ka qenë ajo e ekipit të Dardanisë, një ekip i vogël i kryeqytetit me të cilin ka shënuar vetëm 4 gola. Më pas ka vijuar me Tirana AS (22 gola), KF Ada (30 gola) dhe që prej vitit 2013 është pjesë e Vllaznisë së Shkodrës. Vetëm në edicionin 2019/20 ka shënuar 88 gola duke fituar trofeun “Këpuca e Artë” në kampionatin e femrave në Shqipëri. Në dy edicionet e kaluara, përkatësisht 2017-2018 dhe 2018-2019, ajo është shpallur golashënuesja më e mirë në botë nga blogu “Futebol Feminino Alternativo”. Duke qenë e re në moshë futbollistja e talentuar ka mundësi të thyejë çdo rekord aktual, edhe në arenën ndërkombëtare, dhe të shkruajë historinë e futbollit botëror.

Për çdo gjë kur shpërblehesh sigurisht që është ndjesi e veçantë… 88 gola në sezon është sa e habitshme, por duhet të dini që ka edhe shumë punë brenda, nuk është kaq e thjeshtë, pasi nuk më ka thënë njeri që ik bëj gola se e ke gati portën. Çdo gjë është bërë me djersë dhe mund, por sigurisht edhe me ndihmën e shoqeve të ekipit”, – shton sulmuesja e kampioneve të Shqipërisë.

 

Deri vitin e kaluar Megi mbante jo dy, por tri kunguj në një sqetull: I duhej të shkonte në universitet, pasi është diplomuar për mësuesi në degën e Shkencave të Lëvizjes, të ndiqte stërvitjet dhe të zhvillonte ndeshjet me ekipin dhe paralelisht të ndiqte edhe kursin e UEFA-s për të marrë licencën për trajnere fëmijësh. “…Mbaj mend që pas shkolle shkoja me vrap në shtëpi, lyeja një fetë bukë dhe e merrja me vete dhe e haja rrugës vetëm që të shkoja në stërvitje në orar…”

Elozhet për ekipin e zemrës, Vllazninë, nuk i kursen kurrsesi, duke e konsideruar si ekipin më të mirë shqiptar në kampionatin e femrave. Familja e saj e dytë tashmë është kjo skuadër me të cilën ka arritur të vlerësohet në kampionat dhe në ndeshjen e kupës së Shqipërisë. Edhe pse ka pasur oferta nga jashtë, nga Gjermania, Zvicra, Italia, Anglia etj., Megi i ka refuzuar, jo vetëm nga dashuria e madhe për skuadrën e zemrës, por edhe për shkak të angazhimeve në shkollë. “Është kënaqësi të përfaqësosh një fanellë 102-vjeçare. Kam shkuar që 14 vjeçe te ky ekip dhe tashmë është njësoj si një familje për mua. Ndihem e vlerësuar nga fjala e presidentit Duka, i cili ka thënë se golashënuesja më e mirë në botë është pjesë e kampionatit shqiptar.” Kujtojmë se Doçi u shpall kampione e Shqiprërisë për të shtatin vit radhazi.

Futbolli i femrave jo vetëm në Shqipëri, por kudo në Europë dhe botë, ende nuk është në lartësinë e futbollit të meshkujve. Por diçka po ndryshon së fundmi në vendin tonë, me Federatën Shqiptare të Futbollit, që e ka vendosur ndër prioritetet kryesore zhvillimin e futbollit të femrave në të radhmen. Duke filluar nga sezoni i ardhshëm, 2021-2022, çdo klub i Kategorisë Superiore duhet të ketë të paktën një ekip femrash në përbërjen e tij, përndryshe nuk do të lejohet të marrë pjesë në kampionat. Edhe Megi nuk e fsheh dot gëzimin për këtë lajm. “Mendoj se është një iniciativë shumë e mirë, sepse në rast se edhe ekipet e Superligës do të krijojnë një ekip futbolli femrash, ai ekip do të krijohet me rregull, me disiplinë, pra do të jetë dikush që do të kujdeset për atë skuadër.”

Momente të lumtura në futboll ka përjetuar shumë, por kujtimi më i vyer dhe më i paharrueshëm mbetet suksesi me ekipin e Vllaznisë në grupet e UEFA Champions League. “Momenti më i bukur ka qenë kur u kualifikuam në Champions League me Vllazninë, sepse kishte shumë vite që kërkonim të ishim pjesë e 32 ekipeve më të mira në Europë dhe penalltia që shënova ishte vendimtare.”

Kombëtarja është krenaria më e madhe e çdo shqiptari, madje edhe e atij që pak ndoshta e ndjek futbollin. Emocionet janë më të mëdha në fushë dhe Megit i priten fjalët në mes kur flet për Shqipërinë.“Kur më ka ardhur ftesa e kombëtares, isha shumë e lumtur sepse do përfaqësoja vendin tim dhe do të vishja fanellën kuqezi. Ai momenti kur këndohet himni, të rrënqethet trupi nga emocionet. Është një ndjenjë që nuk di si ta shpjegoj…”

 

Edhe pse jemi në shekullin e XXI dhe shumë gjëra kanë ndryshuar, ende mentaliteti i njerëzve, sidomos në zonat periferike, mbetet i njëjti “Futbolli nuk është për vajza”. Në fillimet e karrierës së saj, Megi është përballur me një lumë fjalësh paragjykuese, vetëm se luante me shoqet e saj, të rreshtuara në 11, me një top futbolli. Por tani, edhe pse nuk i ka harruar ato fjalë, i dërgon një mesazh të gjithë prindërve, të cilët, në njëfarë mënyre bëhen shpesh pengesë që fëmijët të ndjekin ëndrrat e tyre. “Unë jam rritur në fshat dhe nuk e kam problem ta them, por kush do të isha unë sot nëse nuk do të kisha luajtur futboll? Prindërit duhet t’i lënë vajzat të bëjnë atë që duan. Edhe besoj që një ditë, edhe ata do të ndihen krenarë, siç sot ndihet familja ime për mua”, – shprehet Megi Doçi në intervistën e saj.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img