Sulmuesi i talentuar shkodran Mehdi Çoba do të vijojë të jetë pjesë e Vllaznisë edhe për tre sezonet e tjera në vazhdim.
Siç është bërë e ditur edhe më herët, kontrata e Çobës me Vllazninë përfundonte në fund të këtij sezoni futbollistik. Për vazhdimësinë e tij kishte shumë alternativa. Pista e parë natyrisht që ka qënë Vllaznia, vazhdimi i bashkëpunimit me kuqeblutë. Por, në të njëjtën kohë në skenë dolën edhe pista të tjera, ku sipas pohimit të menaxherit të vetë Çobës, për futbollistin shkodran kishte oferta, qoftë në Kampionatin Shqiptar si dhe në Europë.
Por, këtyre dilemave i ka dhënë fund rinovimi i kontratës që Çoba ka bërë me KF Vllaznia.
“Ekipi i Vllaznisë është i fokusuar maksimalisht për t’i arritur objektivat e këtij sezoni, por ndërkohë nga ana tjetër drejtuesit e klubit kanë nisur punën për skuadrën e sezonit të ardhshëm. Hapi i parë i rëndësishëm që është zyrtarizuar ditën e sotme ka qenë rinovimi i kontratës me sulmuesin Mehdi Çoba. Duke e konsideruar atë një element të së ardhshëm, bëjmë me dije se me këtë futbollist është firmosur një kontratë trevjeçare. Suksese Mehdi Çoba me fanellën kuqeblu!”, shkruhet në njoftimin e dhënë për shtyp nga ana e KF Vllaznia, shoqëruar me fotot e shkrepura me presidentin e kuqebluve, Alban Xhaferi.