Për teknikun e Partizanit, Dritan Mehmeti, fitorja e ndeshjes së parë ndaj skuadrës gjeorgjiane Saburtalo ishte e meritur. Fitore që sipas tij i jep një shans për të vazhduar më tej, por kurrësesi nuk duhet menduar se kualifikimi është arritur. Ndaj, gjatë analizës që ai i bën ndeshjes, krahas vlerësimeve kërkon nga të tijtë vemendje dhe mobilizim maksimal në ndeshjen e kthimit, pasi vetëm kështu mund të arrihet kualifikimi për në turin tjetër.
“Kur ke një ndeshje të tillë, që kundërshtari është me ritëm në aspektin fizik duhet ta përballosh me ekuilibër dhe ta përgatisësh sa më mirë. Në të tilla ndeshje duhet të mendosh shumë në aspektin taktik. Skuadra ka pasur shumë largime dhe afrime, prandaj nuk është e lehtë që për 3 javë të jesh perfekt. Duhet kohë që të kualidohemi dhe të gjejmë ritmin e duhur. Por kjo nuk është justifikim. Duhet të rrimë me këmbë në tokë sepse kemi një ndeshje shumë të vështirë edhe në Tiranë.
Përsa iu përket rasteve të humbura, është gjendje emocionale e lojtarëve. Duhet të jenë edhe pak më shumë altruistë me njëri-tjetrin, por nuk duhet të harrojmë që janë të rinj dhe luajnë në kompeticione të tilla të rëndësishme. Emocionet ndikojnë. Duhet të shënonim golin e dytë, por pasi humbëm 2-3 mundësi skishim shumë besim dhe u tërhoqëm.
Nuk duhet ta bëjmë këtë gabim. Nga unë i pari deri tek lojtari i fundit duhet të jemi të përqendruar. Më e vështira nuk ka përfunduar.”, u shpreh trajneri Mehmeti pas ndeshjes në Gjeorgji.