Edison Ndreca largohet nga Egnatia. Një nga protagonistët e skuadrës rrogozhinase është përshëndetur me skuadrën pas ndeshjes me Elbasanin për të vazhduar karrierën e tij në Kazakistan.
Gjithçka është zbuluar në “Super Gol”, me trajnerin Edlir Tetova që i ka uruar fat lojtarit të tij në eksperiencën e re: “I uroj suksese, sepse është drejt fundit të karrierës. E pamë të arsyeshme të bëjmë një tolerim, meqë erdhi një kontratë e mirë për atë dhe klubin”.
Edison Ndreca ka arritur marrëveshjen me klubin kazak Yelimay, nga qyteti Semey, në lindjen e largët. Mbrojtësi i majtë ka qenë lojtar kyç i Egnatias prej 2023, duke fituar 2 kampionate dhe 2 kupa Shqipërie, përveçse një superkupe.
Këtë sezon Ndreca ka luajtur 21 ndeshje në të gjitha kompeticionet, me 2 gola e 1 asist dhe nivel mjaft të lartë loje, çka ka bindur drejtuesit e Yelimay të bëjnë një ofertë të rëndësishme.
Yelimay sezonin e shkuar u rendit në vendin e katërt në kampionat dhe do të luajë në kupat e Europes sezonin e ardhshëm, ndërkohë që e do Ndrecën sa më shpejt, për fazën përgatitore të sezonit të ri që nis në mars.



