Ditë më parë u fol për një ngërç mes futbollistëve të rinj të Akademisë Vllaznia dhe drejtuesve të KF Vllaznia. Këto të fundit i kishin bërë ofertat përkatëse një grupi të rinjsh 19 vjeçarë, por nga futbollistët e Akademisë kishin marrë përgjigje negative. Arsyeja sipas asaj që është komentuar mediatikisht nga vetë futollistët e rinj, kanë qenë kushtet jo të përshtatshme të kontratës së ofruar nga drejtuesit kuqeblu.
Ndërkohë, me njërin prej tyre, pikërisht me mbrojtësin Geralb Smajli, gjërat kanë ndryshuar në ditët në vazhdim. Në një tjetër bisede mes palëve është arritur marrëveshja e duhur që Smajli të bëhet pjesë e Vllaznisë për një afat 5 vjeçar. Lajmin në fjalë e konfirmon vetë klubi kuqelbu përmes një deklatare për shtyp.
“KF Vllaznia bën të ditur se ka arritur marrëveshjen dhe ka firmosur kontratën me mbrojtësin 19 vjeçar Geralb Smajli. Ai është produkt i Akademisë tonë dhe si rrjedhojë konsiderohet një element i së ardhmes. Për këtë arsye është firmosur kontratë 5 vjeçare me të”, citohet në deklaratën në fjalë të KF Vllaznia.