Vedat Muriqi në intervistën e dhënë për emisionin “El Larguero” të “Cadena Ser” ka zbuluar disa detaje mjaft interesante në lidhje me akordin e ri që firmosi me Majorkën. Sulmuesi rinovoi kontratën me ekipin spanjoll për katër vite të tjerë vazhduar që të jetë lojtari më i paguar i ekipit.
Ndryshe nga ç’ishte menduar sulmuesi nuk përfiton rritje rroge pas firmës në kontratën e re dhe arsyeja që qëndron pas këtij vendimi duket se është më shumë se e vlefshme. “Njerëzit janë të interesuar shumë për pagën time të re, por unë po e them këtu se nuk përfitoj asnjë rritje rroge. Unë do të marr po aq sa ç’merrja, por thjesht për një periudhë më të gjatë tani”, tha Muriqi, i cili paguhet me rreth 4 mln euro në sezon.
“Unë prej atyre që mendojnë se paratë nuk janë gjithçka në jetë, jam i lumtur edhe me ato që kam. Menaxheri im me telefonoi për të më treguar për disa oferta të mira, por unë pyeta vajzën nëse dëshironte që të largoheshim nga Majorka dhe ajo mu përgjigj negativisht”, tha Muriqi.