Për pjesën e dytë të sezonit futbollistik, 2024-2025, portjeri i talentuar shkodran Tomas Kiri, do të luajë për Dinamon, skuadrën e cila konsiderohet si skuadra më në formë e Superiores dhe pretendente për fitimin e titullit kampion. Kjo është blerja e dytë e klubit blu në merkaton dimërore pas asaj që realizoi më herët me Fjoart Jonuzin e ardhur nga Tirana.
Shkodrani Tomas Kiri, i cili më 20 janar mbushi 20 vjeç, është një prodhim i Akademisë së Futbollit Vllaznia, i cili luajti për ngjyrat kuqeblu deri me ekipin U17-të, për t’u zhvendosur më pas në Tiranë për arsye të studimeve duke u vënë në dispozicion të ekipit Shkëndija. Më pas Kiri luajti u bë pjesë e ekipeve të para të Tiranës, Kastriotit, përsëri Tiranës, për të kaluar në vijim jashtë vendit me United Riçione, ndërkohë që pasditen e sotme ka firmosur për Dinamon.
Njoftimi i FC Dinamo
“Tomas Kiri vishet blu!
FC Dinamo City njofton se ka arritur marrëveshjen me portierin 20-vjeçar, i cili në vazhdim do të jetë pjesë e 18 herë kampionëve. Kiri vjen nga skuadra e United Riçione, ndërsa më herët në vendin tonë ka qenë pjesë e skuadrave të Kastriotit dhe Tiranës”, shkruhet në njoftimin e klubit. Më herët këtë muaj Dinamo ka firmosur me Floart Jonuzin, që u largua nga Tirana për tu bashkuar me blutë.”
Gaspër MARKU