“Nga sot fillon edhe nje detyre tjeter e veshtir, te çojme perpara projektin e FC Prizreni. Falenderoj kryesine e klubit per besimin. Te gjithe se bashku drejte objektivit…”, njofton në profilin e tij të rrjetit social FB, trajneri i njohur shkodran Samuel Nikaj.
Ndërkohë, pak më herët, ka qënë vetë FC Prizreni që ka dalë me njoftim zyrtar, ku krahas emërimit të trajnerit Nikaj në krye të ekipit të tyre, bën të ditur edhe ndryshime të tjera të rëndësishme të klubit prizrenas, duke deklaruar objektivin parësor të kualifikimit në kategorinë e Superligës së futbollit kosovar.
NJOFTIM ZYRTAR NGA FC PRIZRENI
FC Prizreni ka kënaqësinë të njoftojë ndryshimet dhe përforcimet e rëndësishme në stafin teknik dhe menaxhues të klubit, duke synuar ngritjen në Ligën e Parë dhe vazhdimin e rrugëtimit drejt suksesit.
Samuel Nikaj, trajneri i mirënjohur shqiptar, i bashkohet FC Prizrenit si trajner kryesor.
Me përvojën e tij të pasur në ngritjen e ekipeve në rangje më të larta, ai ka qenë pjesë e sukseseve të Flamurtarit të Prishtinës, Vushtrrisë, Kastriotit të Krujës, Pogradecit, dhe shumë klubeve të tjera, duke dëshmuar aftësi të jashtëzakonshme në drejtimin e ekipeve dhe zhvillimin e talenteve.
Bekim Bakaj, trajneri i suksesshëm që udhëhoqi FC Prizrenin drejt rezultateve mbresëlënëse, tani merr rolin e drejtorit sportiv për shkak të angazhimeve të tij në organizimin dhe zhvillimin strategjik të klubit.
Ai do të jetë gjithashtu krah i djathtë i trajnerit Nikaj, duke kontribuar në suksesin e mëtejshëm të ekipit.
Ylli Bakaj, videoanalisti dhe përgatitësi fizik, do të jetë pjesë kyçe e stafit teknik, duke siguruar që ekipi të jetë në formën më të mirë fizike dhe taktikisht i përgatitur për çdo sfidë.
Xhevat Avdyli, ndihmëstrajner i palodhur, do të vazhdojë të jetë një shtyllë mbështetëse për ekipin dhe trajnerin, duke sjellë përvojën dhe përkushtimin e tij në stafin teknik.
Me këtë kombinim të fuqishëm të stafit teknik dhe menaxhues, FC Prizreni është më i përgatitur se kurrë për të arritur objektivat e tij dhe për të sjellë krenari në qytetin e Prizrenit.
Bashkë drejt suksesit!
Forca FC Prizreni!
Portali Veriu Sport, i uron suksese trajnerit shkodran Samuel Nikaj duke besuar që në mbyllje të sezonit, FC Prizreni të realizojë objektivin e ngjitjes në kategorinë e Superligës së Kosovës.