Çmimi më prestigjioz i përvitshëm i futbollit botëror, “Topi i Artë”, ka kurorëzuar të hënën më të mirin e botës në futboll dhe, sikundër pritej, ai është Lionel Mesi, i cili e fiton kështu për herë të 8-të këtë trofe.
Në garë në 3-shen finale kampionin e botës, që e riktheu fundvitin e shkuar Argjentinën tek trofeu pas atij të fituar nga Maradona më 1986-ën, kanë qenë edhe lojtarë të tjerë që i kanë dhënë tonin vitit kalendarik, si nënkampioni i botës, Kilian Mbape, i cili pati një Botëror po aq të jashtëzakonshëm në Katar, po u mund në finale, por edhe Erling Ha’aland, futbollisti norvegjez që me Mançester Sitin fitoi të 3 trofetë sezonin e shkuar, titullin “kampion” në Premier Ligës, Kupën e Anglisë dhe Ligën e Kampioneve.
Për femra, “Topi i Artë” shkoi për futbollisten e përfaqësueses së Spanjës dhe të Barcelonës, Aitana Bonmati. Ceremonia e çmimeve ka nisur në ora 20:45 dhe përveç “Topit të Artë” për femra dhe për meshkuj, është dhënë edhe Çmimi “Kopá”, për lojtarin e ri më të mirë, që është fituar nga ish-futbollisti i Borusia së Dortmundit, tashmë tek Reali i Madridit, Xhjudë Bellingam, i cili ka fituar duelin me Musialën dhe Pedrin. Çmimi “Sokrates” për kontributin në shoqëri i është dhënë futbollistit tjetër të Realit dhe përfaqësueses së Brazilit, Vinisius Zhunjor.
Çmimin “Lev Jashin” për portierin më të mirë ka shkuar për gardianin e portës së përfaqësueses së Argjentinës, Emiljano Martinez, që militon në Premier Ligën Angleze, në radhët e Aston Vilës. Është dhënë gjithashtu edhe Çmimi “Gerd Myler”, për shënuesin më të mirë, që është fituar nga futbollisti i Mançester Sitit, Erling Haaland, por edhe Çmimi për klubin më të mirë, që për femra është fituar nga Barcelona, ndërsa për meshkuj nga Mançester Siti.