Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më herët, Vllaznia do të luaj sot një ndeshje miqësore ndërkombëtare duke pasur përballë skuadrën malazeze, Buduçnost të Podgoricës. Miqësore kjo që ishte planifikuar që përpara nisjes së skuadrës kuqeblu në Irlandën e Veriut për ndeshjen e parë të Conference League, e cila pritet t’i shërbej Vllaznisë si një test kolaudues për ndeshjen e kthimit ndaj Linfield që do të luhet me datë 20 korrik në stadiumin “Loro Boriçi” duke nisur nga ora 20:45.
Lidhur me miqësoren e sotme, KF Vllaznia bën të ditur zyrtarisht se miqësorja në fjalë, Vllaznia-Buduçnost do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”, në orën 20:00. Në njoftimin e përcjellë nga klubi kuqeblu, thuhet gjithashtu, se për këtë miqësore, do të hapet vetëm tribuna qendrore e stadiumit dhe hyrja e tifozëve do të jetë e lirë.