Tirana-Laçi është njëri prej dueleve të Superiores që luhet sot në orën 15:00. Lajmet e fundit që dalin nga kampi kurbinas, bëjnë të ditur se në ndeshjen e sotme që luhet në stadiumin “Selman Stërmasi”, trajneri trajneri Dejan Vukiçeviç, nuk do të jetë në stolin e Laçit.
Siç bëjnë të ditur burimet në fjalë, ka qënë një fatkeqësi familjare që e ka detyruar teknikun Vukiçeviç të udhëtojë urgjent për në Mal të Zi. Në të tilla kushte, gjithnjë nga burimet e brendshme pranë klubit laçjan, drejtuesit kanë vendosur të thërrasin një emër të njohur për klubin kurbinas, por edhe për futbollin shqiptar, krutanin Ramadan Ndreu, duke i besuar atij drejtimin e skuadrës.
Nuk dihet saktësisht, sesa dhe si do të jetë bashkëpunimi i Ramadan Ndreut me klubin e Laçit në vazhdimësi, por, ajo që ia vlen për të parë është fakti, a do të jetë në gjendje Ndreu të ndryshojë situatën tek Laçi, kur dihet se ai prej pesë ndeshjesh nuk fiton duke qënë i fundit në tabelën e klasifikimit me vetëm 3 pikë. Që do të thotë, se nëse vertet, rezulton pozitiv afrimi i Ndreut, gjërat më pas mund të shikohen ndryshe për fatin e pankinës laçjane.