Tuesday, May 7, 2024

Ndahet nga jeta në moshën 65 vjeçare ish portjeri i famshëm elbasanas, Bujar Gogunja. Presidenti i FSHF-së, Duka, mesazh ngushëllimi

Lexo

Futbolli shqiptar, dhe kryesisht ai elbasanas është në zi. Ka ndërruar jetë në moshën 65 vjçare, ish portjeri i famshëm i Labinotit të Elbasanit, por edhe i kombëtares së Shqipërisë, Bujar Gogunja. Nga sa bëhet e ditur, Gogunja vuante nga një sëmundje e rëndë që e mundoi gjatë viteve të fundit deri sot, u dorëzua duke ndërruar jetë.

Lajmin për për humbjen e portjerit të njohur është përcjellë me shumë keqardhje nga mbarë komuniteti i futbollit, përfshirë edhe institucionin e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku ka qënë vetë presidentit Armand Duka, i cili ka përcjellë mesazhin ngushëllues.

“Të dashur miq të familjes sonë të madhe të futbollit. ak minuta më parë mora lajmin e trishtë se miku im i mirë Bujar Gogunja, portieri i madh i Elbasanit të viteve ‘80-të, njeriu i mençur e fjalëpak, u nda nga jeta pas një beteje me një sëmundje të rëndë.

Ish-portieri i Labinotit kampion të sezonit 1983-1984 ishte pjesë e atij brezi të artë të futbollit elbasanas që sollën emocione të mëdha në gjithë futbollin shqiptar. Bujari, ishte një ikonë e portës dhe do të kujtohet gjithmonë për rekordin e tij prej 1037 minutash pa pësuar gol. Ai mbeti një frymëzim për brezat e rinj dhe kontribuoi për qytetin e tij edhe si trajner portierësh te Elbasani kampion i sezonit 2005-2006.

Në këtë moment të vështirë për familjen dhe miqtë e tij të shumtë, gjej rastin t’i shpreh ngushëllimet e mija më të ndjera për humbjen e njeriut të tyre më të dashur.

Kujtimet që na ka lënë, do të jenë gjithmonë të paharruara.

Prehu në paqe Bujar, do na mungosh të gjithëve.“, shkruan Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në mesazhin e tij ngushëllues.

Me dhimbjen për humbjen e kësaj figure të shquar futbollistike, bashkohet edhe Veriu Sport, duke i përcjellë ngushëllimet më të sinqerta familjes Gogunja për humbjen e njeriut të tyre të afërm, si dhe komunitetit të futbollit për humbjen e kolegut të tyre të paharruar.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img