Basketbolli shqiptar është në zi. Një nga emrat më të spikatur të fushës së arbitrimit, veterani i mirënjohur, Rudolf Cici është ndarë sot nga jeta në moshën 80-të vjeçare. Lajmi në fjalë është bërë i ditur nga djali i tij, Gentian Cici, i cili ka zgjedhur të vazhdojë traditën e babait të tij si gjyqtar basketbolli, madje duke mbërritur në majat më të larta të këtij profesioni si arbitër ndërkombëtar.
…. “Të nderuar miq dhe të afërm, me shumë dhimbje ndajmë me ju lajmin e hidhur të largimit nga kjo botë të Babit tonë të shtrenjtë Dolfi… Babi sot në të gdhirë humbi betejen e gjatë me sëmundjen e Parkinsonit… Me shumë kurajo e dashuri për jeten e sfidoi këtë përbindesh deri në fund denjëesisht…”, shkruan në rrjetin social FB, djali i tij, Gentian Cici.
Lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të ish gjyqtarit të basketbollit, Rudolf Cici, e ndarë me opinionin sportiv edhe Federata Shqiptare e Basketbollit përmes mesazhit ngushëllues në respekt të kësaj figure që kontribuoi shumë për basketbollin shqiptar që krahas arbitrimit në fushën e lojës, si dhe në vijim edhe si vëzhgues i federatës, ai ka shërbyer edhe si anëtar i Kryesisë së Federatës së Basketbollit.
Mesazhi i Federatës Shqiptare të Basketbollit
Lamtumirë Dolfi…sot sëmundja të ndau në pabesi nga ne!
Basketbolli Shqiptar, sot ka humbur një prej gjyqtarëve më të mirë, një ikonë të gjykimit të drejtë jo vetëm në fushën e basketbollit, por edhe ne jetën e përditshme, Rudolf Cici.
Sot dhe përgjithmonë, ti do të mbetesh një shembull profesional por edhe njerëzor.
Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta, familjarëve dhe të gjithë komunitetit të basketbollit, atyre që punuan dhe që e njohën Dolfin.
Si gjyqtar, e njohim si Cici i madh që i trashëgoi pasionin djalit të tij, Gentit, i cili nën këmbën e tij, e ka përfaqësuar denjësisht dhe krenarisht.
Dolfi, Anëtar i Kryesisë së Federatës, një profesionist korrekt, i cili spikaste gjithmonë për propozimet e tij sa të drejta aq edhe njerëzore sa dhe vetë ai.
Dolfi e donte basketbollin dhe nuk u largua kurrë prej tij edhe pse sëmundja filloi t’i shfaqej. Dolfi vazhdoi të vinte në pallatin e sportit si vëzhgues i ndeshjeve dhe si një njeri që e donte topin. Aq shumë e deshi basketbollin, më shumë arbitrimin, sa interesohej për çdo gjyqtar të ri që ecte në arbitrim dhe ashtu modestisht ai kurrë nuk i kursente këshillat profesionale ndaj tyre, falë karrierës së tij dhjetëra vjeçare.
I paharruar qoftë kujtimi yt Rudolf Cici!
Do mbetesh etaloni i mirësisë dhe profesionalizmit!