Thursday, November 21, 2024

“Nderi i Kombit” për legjenden e gjallë të futbollit shqiptar Sabah Bizi

Lexo

Sabah Bizi, një nga figurat më të mëdha futbollistike, i ashtuquajtur “legjenda e gjallë” e futbollit shkodran dhe atij shqiptar është nderuar nga Presidenti i Republikes me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Ceremonia zyrtare e dorëzimit të këtij titulli është organizuar pak ditë më parë në qytetin e Shkodrës përmes një spektakli artistiko-sportiv, aty ku krahas autoriteteve vendore ishin të pranishëm pjesëtarë të familjes “Bizi”, miq dhe kolegë të fushës së Sabahut, jo vetem nga Shkodra, por shumë të tjerë të ardhur nga Tirana dhe rrethet e tjerë të vendit tonë.

Nën monitorimin e regjizorit të mirënjohur Osman Mula, mik dhe tifoz personal i Bizit në vite, i cili i ka kushtuar edhe një dokumentar të posaçshëm karrieres sportive të Bizit, përpos përshëndetjeve të rastit aktiviteti në fjalë është shoqëruar edhe me këngë dhe humor nga artistët më në zë të qytetit të Shkodrës.

Në fjalën e tij të rastit Presidenti i Republikes zoti Ilir Meta  tha se Sabah Bizi është një nga legjendat dhe talentet më të mëdha të futbollit shqiptar, titullar i ‘Vllaznisë’, i ‘Partizanit’ dhe i Ekipeve tona Kombëtare, nga ata futbollistë, të cilët lindin shumë rrallë, që me punën, aftësinë e përkushtimin e Tij ka kontribuar në rezultatet më të larta kombëtare dhe ndërkombëtare, por dhe në rritjen e krenarisë dhe të imazhit tonë kombëtar. “Në treshen e artë të ‘Vllaznisë’: Bizi-Rragami-Zhega ai ishte gjithçka në formacionin e saj, por gjithashtu edhe në Kombëtaret tona. Pa ngurrim mund të themi se Bizi është futbollisti më i gjithanshëm në historinë e futbollit tonë. Me mesfushorin ai solli tiparet moderne të këtij roli duke qenë njeriu që udhëhiqte gjithë skuadrën. E kujtojmë Bizin për atë teknikë racionale, të milimetruar, për atë kilometrazh lëvizjeje në gjithë fushën si askush tjetër, për atë pasim të pagabueshëm, organizator e bllokues i njëkohshëm dhe golashënues i saktë përmes golave që nuk harrohen ende sot. Për talentin e jashtëzakonshëm dhe kontributin e çmuar në arritjen e rezultateve të larta në futboll me Ekipin Kombëtar dhe ekipet “Vllaznia” e “Partizani”, si legjendë e fushës së blertë i përmasave europiane në historinë e futbollit tonë, personalitet i dashur e i respektuar, si dhe burim frymëzimi për të gjithë brezat e rinj, kam sot nderin dhe privilegjin ta vlerësoj Sabah Bizin, pikërisht në qytetin e tij, në Shkodrën tonë të dashur, me Titullin e lartë “Nderi i Kombit””, tha ndër të tjera kreu i shtetit shqiptar Meta.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img