Ecuria jo e mirë e Vllaznisë gjatë pjesës së parë të sezonit futbollistik 2023-2024, ka bërë që drejtuesit e Klubit të Futbollit Vllaznia të ndërmarrin hapat konkret për ndryshimin e situatës në fjalë.
Nga është komentuar edhe më heret, përgjegjësia për këtë gjendje të dobët të skuadrës ka rënë në mosmirëmenaxhimin e merkatos verore, ku në skuadër janë sjellë futbollistë nën nivelin e duhur, të cilët nuk kanë arritur të bëjnë diferencen me futbollistët shkodranë.
Në këtë drejtim, drejtuesit e stafit teknik dhe ato administrative të klubit kuqeblu kanë nisur nga spastrimet në skuadër. Dhe, hapi i parë është largimi i maqedonasit Darko Dodev, për të cilin stafi teknik ka gjykuar që nuk i nevojshëm për vazhdimësinë e bashkëpunimit me Vllazinë.
𝒁𝒀𝑹𝑻𝑨𝑹𝑬
“KF Vllaznia njofton mbylljen e bashkëpunimit me futbollistin Darko Dodev. Sulmuesi 25 vjeçar dhe klubi kanë vendosur të ndërpresin me mirëkuptim kontratën mes palëve.
KF Vllaznia e falënderon Darko Dodev për kontributin e dhënë gjatë kësaj periudhe me skuadrën kuqeblu.”
Gjithnjë, nga burimet brenda kuqebluve, mësohet se në listën e largimit nga Vllaznia, janë edhe disa futbollistë të tjerë, të cilët janë vlerësuar si të panevojshëm për të qënë pjesë e Vllaznisë, emrat e të cilëve pritet të bëhen publikë në ditët në vazhdim.
Në të njëjtën kohë, paralelisht me largimet, stafi kuqeblu me në krye drejtorin e ri sportiv Tefik Osmani kanë gati emrat e atyre, me të cilët është biseduar për të firmosur në pjesën e dytë të sezonit. Por, për korrektesë, por edhe të rregullores përkatëse, për derisa akoma nuk është e hapur merkato, emrat e tyre nuk mund të bëhen publikë zyrtarisht.