Sezonin e kaluar ka qënë më i shpeshtë në analizat e skuadrës, por për këtë sezon, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, merrë pjesë për herë të parë në analizën e skuadrës. Dhe, kjo e ka një arsye, sepse skuadra po shoqërohet me luhatje në lojrat dhe rezultatet e saj. 1 pikë në tre ndeshjet e fundit, me humbjet radhazi ndaj Kukësit dhe Tiranës, si dhe barazimi me Egnatian, e kanë detyruar njëshin e klubit kuqeblu të marrë pjesë në një analizë të zgjeruar, jo vetëm për rezultatet, por edhe për disa shfaqje jo të dëshiruara në raport, sportist-trajner dhe anaslelltas.
Nga sa bëhet e ditur, presidenti Xhaferi në fjalën para ekipit është ndalur konkretisht tek ajo që po ndikon te paraqitja në fushë, duke kërkuar edhe nëse ka shkaqe të ndryshme që skuadra nuk po merr rezultatet e duhura. Burime pranë ekipit tregojnë se nuk ka pasur asnjë problem jashtë fushës, pasi edhe çështja e rrogave është zgjidhur. Nga ana tjetër, stafi teknik është ndalur gjatë me futbollistët për të nxjerrë shkaqet e gjendjes jo të mirë të tyre. Trajneri Tomas Brdariç ka kërkuar në një moment të mbledhjes nga lojtarët që të japin mendimin e tyre për këtë situatë dhe kryesisht për ndeshjen ndaj Egnatias.
“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se mundësitë janë për të bërë shumë më mirë në takimet e ardhshme. Duhet të korrigjohemi në të dyja fazat e lojës dhe secili prej jush të bëjë atë që ne kërkojmë”, mësohet të kenë qenë fjalët me të cilat tekniku Brdariç, ka kërkuar vazhdimësinë. Vetë lojtarët kanë dhënë garancinë se kthesa do të vijë shumë shpejt. Disa prej tyre që kanë marrë fjalën gjatë kësaj analize, si Gurishta, Krymi, Adili etj, kanë thënë se mundësitë për reflektim janë të mëdha. Lojtarët janë shprehur optimistë se kanë forca për të kapërcyer këtë moment, duke filluar nga ndeshja e radhës për kampionat ndaj Kastriotit edhe pse më parë do të luhet me Pogradecin takimi i kthimit në Kupë.
Referuar kalendarit të ndeshjeve në vazhdim, duke filluar nga ajo e së mërkurës për Kupë me Pogradecin, si dhe më pas Kastriotin për kampionat, dhe të tjerat në vazhdimësi, që do të luhen në “Loro Boriçi”, pasi katër nga pesë përballjet e radhës në kampionat janë brenda, janë konsideruar si të favorshme për të marrë rezultat pozitiv. Kjo pa dyshim që është një plus i madh, sepse duke luajtur në shtëpi dhe me ndihmën e tifozëve, mund të vijnë edhe rezultatet pozitive radhazi.
Duke u kthyer tek analiza, ajo është mbyllur me premtime nga ana e futbollistëve dhe stafit teknik për kalimin e këtij ngërçi të momentit për t’u kthyer tek rezultatet pozitive.