Saturday, April 20, 2024

Një tjetër “ish” në Laç, Arsid Kruja i bindur në fitoren e Vllaznisë ndaj ish skuadrës së tij

Lexo

Arsid Kruja, është një tjetër ish që do të jetë në fushën e lojës nesër në përballjen emocionuese por edhe mjaft të fortë Laçi-Vllaznia. Mesfushori kuqblu ka luajtur më herët për skuadrën laçjane, ku ruan edhe kujtime të bukura, ndërkohë që nesër në ora 13.45 do të kërkojë të sfidojë ish skuadrën e tij, madje, pse jo edhe me ndonjë gol personal të tij në këtë ndeshje. Kruja po kalonte një formë shumë të mirë sportive duke u shfaqur titullar dhe kontribues në fitoret e Vllaznisë, kur prekja nga virusi Covid-19 e privoi në dy ndeshje nga fusha e lojës, pasi është dashur të karantinohej në banesën e tij. Tashmë, fatmirësisht është krejt mirë për nga shëndeti, madje, siç pohon edhe vetë ai është rikthyer edhe më i fortë dhe me më shumë oreks për të bërë më të mirën në fushën e lojës.

Duke folur konkretisht për ndeshjen e nesërme, Kruja e pranon e njeh mirë ambientin kurbinas, e vlerëson kundërshtarin, por sipas tij, skuadra kuqeblu do të dijë të kthehet në Shkodër me rezultat pozitiv. “E njoh personalisht ambientin atje pasi kam luajtur me këtë skuadër. Kam shumë respekt për futbollistët, drejtuesit dhe tifozët laçjan, por më duhet të pranoj se Vllaznia do të futet në fushën e lojës për t’u prezantuar ashtu si në ndeshjet e tjera të mëparshme dhe të arrijmë rezultat pozitiv. Kam besim të plotë se do të dalim fitues, pasi kemi treguar që edhe jashtë jemi një skuadër e fortë”, thotë Kruja.

Sa i përket vazhdimësisë, Kruja është i mendimit se Vllaznia do të vijojë të jetë e suksesshme, pasi me kapacitetet që ka në dispozion i ka të gjitha mundësitë për të qënë në krye edhe në vijëmësi të kampionatit. Sipas tij, objektivi primar ka qënë mundësia e përfshirjes në Kupat e Europës, por duke parë forcën dhe stabilitetin e skuadrës, nuk ka pse të mos jetë në lojë edhe titulli kampion, një trofe që i mungon Shkodrës për një periudhë 20 vjeçare.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img