Thursday, November 21, 2024

Një tjetër kampion më pak. Ndahet nga jeta në moshën 87 vjeçare mjeshtri i sporteve të ujit, Enver Muriqi

Lexo

E diela e 6 shkurtit 2022 e ka gjetur Shkodrën me një kampion më pak. Bëhet fjalë për Enver Muriqin, një nga emblemat e sportit të notit shkodran dhe atij shqiptar, i cili ndërroi jetë në moshën 87 vjeçare.

Natyrisht që për Shkodrën dhe mbarë notin shqiptar, ndarja nga jeta e Enver Muriqit është një humbje e madhe, jo vetëm për komunittin e notit që ai i shërbeu me shumë përkushtim gjatë të gjithë jetës së tij, por edhe për mbarë sportin shqiptar në përgjithësi, për të cilin ai ishte modeli i sportistit, trajnerit dhe drejtuesit të aftë.

Krahas të tjerave, Enver Muriqi ishte pjesë edhe e familjes sportive “Muriqi”, një familje sportive që i ka dhënë Shkodrës dhe Shqipërisë në përgjithësi një kontribut të madh në zhvillimin dhe rritjen e cilësisë sportive në sportet e ujit. Tituj të shumtë kampionë, rekorde kombëtare, kupa individuale dhe ekipore janë të arkivuara në vite nga protogonistët e e kësaj familje që për nga numri përbëjnë plot 18 vetë që janë marrë me sporte e ujit, duke nisur nga Smajl Muriqi, personazhi i parë që u lidh me këtë sport, duke hapur më pas rrugën edhe për pjesëtarët e tjerë të familjes, vëllanë e tij, Enverin, motrat Kudrete dhe Liria, Agimi dhe Media, etj deri tek talenti më i fundit i Muriqëve, Sindriti i cili pritet ta çojë edhe më tej traditën e kësaj familje në sportin e notit.

Karriera sportive e Enver Muriqit

Përfshirja në botën e sportit shqiptar zë fill që në moshë të re, 15-të vjeçare, kur mori pjesë në krosin masiv lokal me rastin e hapjes së sezonit të notit të vitit 1949, ku edhe zuri vendin e parë për moshat. Ky aktivitet do të shërbente si pikënisje e rrugës së gjatë që ai zgjodhi për t’u bërë pjesëmarrës në të gjitha kampionatet dhe kupat, në not, vaterpol dhe kanotazh. Në karrierën e tij sportive spikasin aktivizimet në vitet 1952-53 në kampionatet kombëtare të të rinjëve, zhvilluar në qytetin e Shkodrës, ku ai zuri respektivisht vendet e para në stilin bretkocë. Në vitin 1954 mobilizohet ushtar duke u inkuadruar në ekipin e klubit sportiv “Partizani” ku për dy vite me radhë bën një paraqitje shumë të mirë duke zënë gjashtë vende të para në kampionatet kombëtare, ndërkohë që përmirson edhe 7 rekorde të reja kombëtare për të rritur. Po me këtë ekip, ai fiton dhe dy herë titullin kampion në sportin e vaterpolit. Gjatë viteve të konkurimit me ekipin e Partizanit, shkodrani Enver Muriqi arrin të fitojë edh titullin “Mjeshtër Sporti” duke u shpallur dhe notari më i mirë i kampionatit. Pas përfundimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, Enveri rithehet në vitin 1956 sërishmi në qytetin e tij të lindjes, Shkodër duke u bashkuar menjëherë me ekipin e Vllaznisë për të vijuar sërishmi në rrugën e bukur të sukseseve të tij të shumta. Që nga ky vitë dhe deri në 1963-shin, ai mbron titullin kampion kombëtar në stilin bretkocë duke përmirësuar edhe shtatë herë rekordet e tija personale. Niveli i lartë që dispononte Enveri e bën atë pjesë të padiskutushme të ekipit kombëtar duke qënë ndër sportistët më të spikatur që i dha shumë pikë përfaqësueses sonë. Por, krahas notit, Enver Muriqi aktivizohet me shumë sukses edhe në sportin e vaterpolit duke u shpallur pesë vite me radhë kampion i Shqipërisë me ekipin e Vllaznisë, vite këto që Enveri ishte edhe lojtar i ekipit, por edhe trajner.

Enveri trajner dhe gjyqtar…

Viti 1965 shënon mbylljen e karrieres sportive të Enver Muriqit si sportist, por kurrsesi për t’u ndarë nga familja  e madhe e sportit, por këtë radhë duke u emëruar trajner i ekipit të të rinjëve të Vllaznisë, detyrë të cilën e kurorëzoi me shumë sukses, për të cilën flasin vetë rezultatet e arritura, kampion i Shqipërisë, si dhe duke fituar shtatë herë vende nderi. Ndërkohë, duke parë cilësitë dhe aftësitë e tij të larta në sportet e ujit, Federata Shqiptare e Notit e propozon dhe e miraton si gjyqtar, detyrë të cilën e kryen nga viti 1971 deri në 1987, duke marrë pjesë në të gjitha aktivitetet sportive të notit si gjyqtar i kategorisë së parë. Me kërkesë të drejtuesve të klubit Vllaznia, Enver Muriqi rikthehet sërishmi në detyrën e trajnerit, por këtë radhë në krye të ekipit të vaterpolit për të rritur, të cilin e drejton me kompetencë deri në vitin 1991 duke u shpallur kampion kombëtar në të gjitha këto vite, por ndërkohë duke mos u shkëputur asnjëherë nga pasioni dhe detyra e tij si gjyqtar noti.

Vlerësimet

Gjatë karrieres së tij të pasur sportive, Enver Muriqi ka marrë vlerësime të shumta, si nga Sport Klub Vllanzia, Bashkia Shkodër dhe Federata Shqiptare e Notit. Në vitin 1954 ka marrë titullin Mjeshtër Sporti. Më vonë, në vitin 1992 -1993, atij iu dha titulli Mjeshtër i Merituar i Sportit. Në vitin 2010, nga Bashkia e Qyteti të Shkodrës iu dha titulli “Legjenda e notit shkodran”. Ndërkohë, Erver Muriqi është pjesë edhe e më të mirëve të 100 vjetorit të klubit Vllaznia duke u vlerësuar si notari i shekullit.

Veriu Sport, i përcjellë ngushëllimet më të sinqerta familjes Muriqi për humbjen e njeriut të tyre të dashur, si dhe komunitetit të sporteve të ujit, për humbjen e një kampione dhe rekormeni të shquar në vite, me Vllaznimë, Partizanin dhe ekipin kombëtar.

Lamtumirë Enver Muriqi, pusho në paqe kampion!

Gaspër MARKU

 

 

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img