Një vit pa Zanin! Të dielën, ceremoni përkujtimore dhe Kupa “Ramazan Rragami” me pjesëmarrjen e 4 ekipeve: Gazetarët e Shkodrës, Tiranës e Kosoves, dhe ish-futbollistë kuqezi

Një vitë më parë u nda nga jeta një nga emrat më të spikatur të futbollit shkodran dhe atij shqiptar, ish futbollisti i Vllaznisë, Partizanit dhe kombëtares shqiptare, Ramazan Rragami. Në respekt të kësaj figure të shquar sportive, i nderuar me titullin e lartë Mjeshtër i Madh, Bashkia Shkodër, në bashkëpunim me Klubin e Futbollit Vllaznia, si dhe familja Rragami, kanë planifikuar organizimin e një aktiviteti përkujtimor për Zanin, siç thirrej në mjedisin sportiv e më gjërë.

Sipas njoftimit zyrtar të KF Vllaznia, aktiviteti në fjalë do të zhvillohet ditën e dielë të 15 janarit 2023, me një program të larmishëm. “Flasim dhe luajmë për Zanin”, quhet aktiviteti përkujtimor për Ramazan Rragamin, i cili fillon në orën 10:00 me një takim që do të zhvillohet në sallën kryesore të stadiumit “Loro Boriçi”, ku në praninë e familjarëve të tij, veteranë, kolegë dhe bashkohës të Zanit, përfaqësues nga Federata Shqiptare e Futbollit, gazetarë sportiv, si dhe tifozë të tij personal, do të sjellin kujtime nga jeta dhe karriera sportive e legjendës së futbollit shqiptar, Ramazan Rragami.

Në vijim, emocionet e ditës përkujtimore kushtuar figurës së Ramazan Rragamit do të zhvendosen në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, aty ku me pjesëmarrjen e katër ekipeve: Gazetarët e Shkodrës, ato të Tiranës dhe Kosovës, së bashku me një ekip miks me përfaqësues të ish futbollistëve të kombëtares Shpresa që të drejtuar nga dyshja Shyqyri Rreli-Ramazan Rragami, u patën kualifikuar në tetëshen më të mirë Europiane, do të ndeshen me nga një takim në një miniturne, në garë për të fituar trofeun, “Ramazan Rragami”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu