Sunday, December 22, 2024

Opinion nga Besnik Dizdari/”Kam qënë te stadiumi “Resmja-Pano”!”

Lexo

Opinion nga Besnik Dizdari/

Kështu po më pëlqen të them: “Kam qenë te Stadiumi ‘RESMJA – PANO!’” Sepse kështu do të dëshiroja të emërtohej stadiumi i ri i Partizanit: Stadiumi “Resmja – Pano”. Një emërtim, që merret me mend se nuk e kam në dorë ta vendos unë, por tëtjerët. Edhe pse unë këmbëngul se emër më të bukur e më kuptimplotë se ky që përjetëson këta dy legjendarë të Partizanit e të Shqipërisë siç kanë qenë Refik Resmja e Panajot Pano, nuk ka. Natyrisht, nuk do të përimtoj këtu se çka kanë qenë këto dy legjenda për historinë e futbollit shqiptar.

Kjo dihet. Por po këmbëngul se t’i bashkosh kësisoj në emërtimin e stadiumit të ri të Partizanit, nuk ka veprim më me kuptim se ky. Kështu pra, isha në ndeshjen e parë zyrtare të stadiumit “Resmja – Pano”. Një udhëtim jo dhe fort i shpejtë, pak si një lloj aventure. Natyrisht me taksi, sepse biçikleta ime nuk mund të ma merrte përsipër. Mandej, nja 300 – 400 metra në këmbë përmes një rruge labirint, për të mbërritur te ky stadium i cili të befasonte meterritorin hapësinor para fasadës së tij, çka sigurisht pret për t’u përpunuar nga ana arkitekturore.

Ndjeva një kënaqësi të madhe. Dhe them se kjo është një nga arritjet më tëmëdha të Partizanit të sotëm, dikur skuadër e paarritshme eShqipërisë. Kujtoj ndërkaq se si në vitet ’50, shumica prejnesh, gjimnazistëve të Shkodrës, ishim të gjithë tifozë të Partizanit. Kjo ngaqë skuadra e qytetit tonë, Vllaznia, kalonte ditët më të vështira të historisë së saj, duke zbritur madje deri në Kategorinë e Dytë.

E, Partizani për ne të Shkodrës, ishte Loro Boriçi, Kaloc Kraja, Simon Deda e Lin Shllaku,i cili sapo mbërrinte. Partizani i sotëm, ai i cili në vitete fundit mbërriti deri në humnerëne Kategorisë së Tretë, se të dytë po e po, ia arriti të ringjallet në mënyrën më spektakolare.

E pra, drejt me thënë, kur zbriti kaq poshtë, unë për vete pata menduar se mbaroi historia e tij. Mirëpo, ai ia arriti që mbasi kishte munguar për bukur 5 vjet në kampionatin kombëtar, të bëhej përsëri kampion i Shqipërisë e gjithnjë mëtues i titullit. Mjedisi në stadiumin e tij të ri, qe më qytetar se kurrnjëherë. Ai ka një kapacitet deri në 4200 shikues, por ndoshta gati nja 2100 ishin të pranishëm.

Dhe shijuan një fitore të këndshme, me gola të bukur e lojë të mirë. I ulur në shkallën më të lartë të tribunës qendrore, në rreshtin e gazetarëve, ndjeva, mu duk se isha në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Nxora celularin dhe fotografova këtë pamje që po ia bashkoj shkrimit. Tribuna karshi, por mbi të gjitha mali i Dajtit në sfond me gjithë pamjen e tij madhështore, më bënte që të ndihesha si nëstadiumin kombëtar “Qemal Stafa” dikur.

Një pamje çlodhëse, piktoreske, si një emblemë e krejt Shqipërisë malore. Tash në atë që quhet ”Air Albania” kjo pamje çlodhëse, e mrekullueshme, nuk ekziston më. Stadiumi që u ndërtua mbi rrënimin e “Qemal Stafës”, në ndeshje duket si një kuti e mbyllur tejendanë, me vetëm një copë të vogël qielli, e gati të zë frymën. Histori e shkuar kjo tashmë, e stërtreguar, e stërkritikuar edhe prej shkrimeve të mia…

Për çudi pashë shumë pak gazetarë. Qëlluam afër me Filip Çakullin, kolegun e hershëm, i cili mbas largimit tim, pat qenë edhe ai gazetar i “Bashkimit”. Në intervale kujtuam kohët e dikurshme, gazetarinë e dikurshme, kolegët e dikurshëm. Po mos ndoshta gjithçka është po “e dikurshme”? Nuk e di. Por Filipi punon pa ndalë me “Fiksin” e tij… Ndërkaq, Mitro Çela, miku i tij i pandashëm, ishte pak më poshtë. Aty edhe gazetari Moisi Dalipi i Vlorës së patradhtueshme prej tij. Dhe vetëm kaq? Stadiumi “Resmja – Pano” për çudi na dha dy pamje.

Atë të pjesës së parë, si të thuash në ditën për diell, dhe pjesën e dytë në natë. Një kontrast i çuditshëm, që e pata pak si vështirë se më hoqi Dajtin. Sa më shumë ndeshje ditën, do të uroja, sepse i japin një shkëlqim pamjeje, që e mposhtin tejet peizazhin stadiumor nën dritën e projektorëve. Partizani 16 herë kampion i Shqipërisë, ditën e 14 nëntorit 2022 ka për ta shënuar si të artë në historinë e tij.

U bë pronar i një stadiumi krejt të tij, përveç të tjerave i pari stadium privat në historinë e Shqipërisë. Do t’i zhvillojë ndeshjet aty, çka me kalimin e viteve parashikoj se do të jetë një nga fushat më të vështira për kundërshtarët. E them këtë se ka do kohë që në futbollin shqiptar ka marrë fund forca e “fushës sime”. “Fusha ime” prej mungesës së saj, po edhe prej mungesës së paparë të spektatorëve, ka humbur kahun e vërtetë të forcës së saj. Ndërkohë që në mënyrën më të papranueshme, stadiumet, pa ndalë po marrin emërtimin “Arena”: “Egnatia Arena”, “Kukësi Arena”, “Air Albania Arena”. Edhe historia e sportit dhe futbollit shqiptar sot me sa duket ka shumë “armiq”… Edhe për këtë e them qartë: “Kam qenë te stadiumi ‘RESMJA – PANO’”!…

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img