Një e Enjte zakonshme Korriku, por që do të mbahet mend gjatë. Tri fitore në një mbrëmje. Tri buzëqeshje europiane për futbollin shqiptar.
Egnatia zbatoi pikë për pikë leksionin e jetës, “Rrëzohu, ngrihu dhe ec përpara”. Fitoi si burrat, në një transfertë të vështirë, por që u kthye në fushë lavdie.
Vllaznia, me zemrën e saj të madhe, shpërtheu dhe fitoi me përmbysje në “Loro Boriçi”. Në një mbrëmje madhështore! Shpirti shkodran nuk vdes kurrë.
Dinamo City vendosi rend në kaosin e pjesës së parë. Pas pushimit tregoi karakter dhe klas, duke rikthyer një emër historik aty ku i takon, në hartën e fitoreve europiane.
Tri fitore në një mbrëmje nuk është vetëm statistikë. Është besim. Është frymë. Skuadrat shqiptare na treguan që nuk përkulen para askujt dhe më në fund po mësohen të fitojnë. Jo vetëm në fushë, por edhe në mentalitet.
Faleminderit çuna! Për krenarinë, për emocionin, për shpirtin luftarak që mbajtët veshur me fanellën kuqezi, edhe kur ajo ka ngjyrat e klubeve.
Mbrëmja magjike e së Enjtes së kaluar duhet kompletuar të Enjten e ardhshme. Puna duhet përfunduar më 31 Korrik. Në Rrogozhinë, në Reykjavik dhe në Elbasan. Futbolli shqiptar nuk ka qenë kurrë më pranë një epoke të re! Me 3 skuadra në turin e tretë.