Vllaznia 1-1 Erzeni (Balaj 28′ / Qarri *autogol* 68′)
Trajneri i ri i Vllaznisë, Qatip Osmani, e nis me barazim në Shkodër ku kuqeblutë janë ndalur në “Loro Boriçi” 1-1 përballë Erzenit, në sfidën e vlefshme për javën e 11-të në Superiore.
Ndeshja nuk prodhoi shumë emocione ku nuk kishte shumë ritëm dhe raste përpos golave. Vllaznia kaloi e para në avantazh, nga një penallti e fituar me mjeshtëri nga Boshnjaku në sikron me Malin dhe Balaj nuk gabon ta dërgoj në rrjetë nga pika e bardhë e penalltisë. Pjesa e parë u mbyll me shifrat 1-0 për Vllazninë.
Pjesa e dytë foli për Erzenin i cili ishte më agresiv dhe në kërkim të golit të barazimit. Shijakasit bënë ndryshime në lojën e tyre dhe në minutën 68-të gjuajta e Zekës u kthye nga shtylla, preku portierin Qarri dhe shkoi në rrjetë. Pas golit Vllaznia u rindez duke u munduar të gjente golin me topa të gjatë dhe duke bërë presion në gjysmëfushën shijakase, por nuk ia arriti duke e mbyllur ndeshjen me rezultatin 1-1.
Pas kësaj sfide, Vllaznia mban vendin e gjashtë me 13 pikë, po aq sa edhe Erzeni i cili gjendet në vendin e tetë.