Duket se e premtja ka qenë një ditë e lodhur në Kategorinë Superiore, pasi, ashtu sikundër ndeshja e pasdrekes midis Kukësit dhe Vllaznisë, edhe ajo e mbrëmjes midis Erzenit dhe Laçit ka qenë një përballje që ka parë një lojë mediokre dhe, ndryshe, nga takimi i parë, nuk arriti as të dhuronte gol.
Takimi i dytë i vlefshëm për javën e 10-të të Kategorisë Superiore, i luajtur në Stadiumin “Arena e Demave” në kryeqytet, aty ku Erzeni ishte skuadra pritëse, ka parë të dyja skuadrat që mbrohen shumë dhe ndërtojnë pak, më të interesuara për të prishur lojën e njëra-tjetrës sesa për t’u shënuar.
Vetëm goditja e Mihanës që vë në provë Dajsinanin në minutën e 36-të mund të veçohet sa i përket pjesës së parë, që sidoqoftë mbyllet me rrjeta të paprekura.
Edhe ajo e dyta do të jetë një fotokopje e pjesës së parë, teksa shijakasit i falen dy herë gardianit të portës së tyre, Hasanbelliut, teksa në minutën e 73-të ai bën mrekullinë pas një goditjeje të Ujkës, ndërsa reagon instinktivisht edhe 6 minuta më pas, kur e mban të paprekur rrjetën e tij.
Mbyllet pa gola kjo sfidë dhe, falë këtij rezultati, Laçi mbetet në vendin e 3-të të renditjes, me 14 pikë, 3 më pak se Partizani i vendit të 2-të dhe një më shumë se Tirana e vendit të 4-t, ndërsa Erzeni mbetet në vendin e 8-të, me 12 pikë.